TIRANE– Dorëheqja e Petrit Vasilit nga posti i kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka qenë temë e emisionit “Të paekspozuarit” mbrëmjen e sotme. Në studion e “News24”, panelistët kanë shprehur gjykimin e tyre për këtë lëvizje.

Analisti Andi Bushati tha se rasti i një dorëheqje të tillë, ku kryetari qëndron vetëm një muaj në detyrë, është i paprecedentë në Shqipëri.

“Largimi i Petrit Vasilit nga posti i kreut të LSI është e paprecedentë. Vetëm një muaj qëndroi kryetar partie. Sot LSI po del me tezën se do veprojë ndryshe nga dy partitë e tjera”, u shpreh analisti Andi Bushati.

Ndërsa analisti Andi Bejtja tha se vendosja e Monika Kryemadhit në krye të kësaj partie, ishte e pritshme.

“Edhe pse e ka marrë zyrtarisht këtë post tani, ajo e ka patur edhe më parë. Kryemadhi merrej me organizimin, me detyra të rëndësishme në LSI. Mendoj se LSI është parti më e organizuar se shumë parti të tjera në vendin tonë, përfshi edhe PD në këto momente”, u shpreh analisti Andi Bejtja.

“LSI me këtë veprim së pari ka dashur t’i thotë publikut, se do jemi të fortë në opozitë, më të fortë se Partia Demokratike, për të dhënë këtë mesazh, prandaj ka zgjedhur Kryemadhin, pasi është energjike dhe organizatore, plus që përfaqëson edhe një numër të madh të rinjsh që ka afruar Kryemadhi. Mund të fitojë edhe më lehtë brenda partisë edhe se Ilir Meta, po të bësh një sondazh. Kryemadhi vërtet është bashkëshortja e Metës, Mpor onika ka hyrë në politikë prej vitesh, madje nëse s’do ishin burrë e grua, ajo mund të kishte partinë e saj”, vijoi ai.

Sipas analistit Fatos Lubonja, “Çështja është kush e bën më mirë këtë punë, pra të organizojë më mirë partinë dhe rininë. Dhe Kryemadhi e bën këtë”.

“Shkaku është më i lehtë për t’u kuptuar pse Monika Kryemadhi është në krye të LSI. Shkaku është se Vasili, ndoshta ndihet më i lodhur në politikë dhe mendohet që Kryemadhi është një figurë më energjike në parti, ka më shumë karizëm, dhe sipas meje, nuk është se brenda partisë ka konflikt, por thjesht kjo zgjedhje është për t’i dhënë më shumë motor një makine, që duhet të ecë me marsh tjetër. Është një malore e fortë dhe Kryemadhi e bën më mirë këtë punë, dhe kjo është në favor të rrugëzgjidhjes. Por kjo ka edhe disfavoret e veta, për disa arsye. E para sepse duke qenë se do kemi një opozitë agresive, shumë shpejt e bën më vulnerabël LSI përsa i përket sulmeve që do i bëjë Edi Rama nesër, pasi duhet të themi që Kryemadhi është gruaja e presidentit”.

Analisti Andi Bushati deklaroi se kjo lëvizje e shoqëruar me shpalljen e kandidaturës së Monika Kryemadhit, tregon se Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti klienteliste dhe familjare.

“Nëse do kishte sot një këshilltar të Metës për t’i bërë keq, do i thoshin vendos gruan kryetare. Pse? Sepse akuza më e madhe ka qenë që partia e tij është akuzuar si parti familjare dhe klienteliste. Një muaj pasi ka caktuar një kryetar të ri, thotë ne e ndryshojmë dhe unë do vë time shoqe. Ndoshta LSI duhet të ndryshojë sot taktikë dhe ëndërron të marrë primatin e opozitës, por LSI ka katër vite që na tregon se shqiptarët binden me qetësi dhe dashuri, dhe figurë më të dashur se Vasili nuk kishte ku të gjendej”, tha Bushati.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: