Portali shumë pranë Partisë Demokratike “politiko.al” i drejtuar nga analisti Alfred Lela që mbështet qëndrimet e kryetarit të saj, Lulzim Basha ka sulmuar ashpër sot tre prej figurave kryesore të kësaj force politike, Jozefina Topalli, Eduard Selami e Majlinda Bregu që dolën hapur kundër vendimit për të bojkotuar zgjedhjet e 18 qershorit. Në një shënim pa emër ky portal iu dregon derën e PD-së të tre deputetëve duke iu sugjeruar që “ju qëllon fati i keq i të shndërruarit në ‘ilirmetaj’”.

SHKRIMI I PLOTË

Kryeministri Edi Rama ka folur shpesh gjatë javëve të fundit për opozitën apo opozitat. Dje, në Shënimin e Ditës, që zëvendësoi Komunikimin Javor, shpalli edhe se do i jepte 48 orë kohë opozitës që të kthehej nga ‘buza e greminës ku e kishte çuar veten’. Më parë, ka folur edhe për ‘opozitat’ (në shumës), dhe e ka shprehur qartë se do të ketë të tilla që ‘do t’ia zënë vendin Partisë Demokratike pas 18 qershorit’.

Shenjat janë se ka filluar puna për ‘zbulimin’ dhe ‘desantimin’ e këtyre ‘opozitave’ në disa drejtime.

Drejtimi i parë janë partitë e majta ose të qendrës, që kanë lindur së fundmi, si LIBRA e Ben Blushit apo Sfida e Gjergj Bojaxhiut. Duke futur këtu edhe FRD e Bamir Topit, e cila është shfaqur pjesëmarrëse në pushtet sa herë i është lejuar, dhe kritizere e opozitës sa herë i ka interesuar.

Drejtimi i dytë kanë qenë formacionet e vogla në aleancë me PD, që formojnë koalicionin opozitar prej 27 partish. Ka qenë kryetari i opozitës që ka bërë publike një ofertë prej 500 mijë eurosh, për kreun e njërës prej këtyre partive. Burime të politiko.al, shumë të afërta me politikanin e ofertuar, e konfirmojnë deklaratën e Bashës.

Drejtimi i tretë, i cili më shumë se frymëzim apo shtysë e vetë Ramës, është lufta politike e brendshme në Partinë Demokratike, ka sipërfaqësuar sot, njëheri paradoksalisht, në formën e Jozefina Topallit, Majlinda Bregut dhe Eduart Selamit.

Të tre personazhe të pakënaqur me lidershipin e Bashës, dhe me atë që burime në PD e konsiderojnë si ‘mosbegenisje’ të shefit të opozitës ndaj tyre. Topalli, pas tërheqjes së Berishës ka mbetur në ujëra të cekëta sa i takon ndikimit dhe rëndësisë, duke qenë se Basha ka preferuar mbështetjen dhe këshillat e ish-kryetarit të Partisë, Berisha, duke mos parë nevojën, apo edhe dëshirën e komunikimit intensiv me të tjerë, nga ajo që mund të quhet ‘garda e vjetër’ në PD.

Eduart Selami e ka fshehur ‘thyerjen’ e tij me Bashën, megjithëse plasaritja e një zemërimi është shfaqur në raportet mes tyre që herët, kur deputeti dhe ish-kryetari i PD, i rikthyer nga Amerika, garoi për detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Partinë Demokratike dhe u rendit i treti pas Arben Ristanit dhe Enkelejd Alibeajt.

Majlinda Bregu e pa veten në ‘dishezë’ pas ardhjes së Bashës në krye të PD, me një peshë specifike të rënë dhe me një grup mbështetës gjithnjë e më shumë të zvogëluar. Vetëm në rolin e deputetes dhe pa pa ‘besime’ të tjera në strukturën e partisë ajo, ashtu si Topalli, u ndje politikisht e gjymtuar.

Por, ‘zemërata’ e madhe e të treve buron nga fakti se ata kanë humbur njëkohësisht trokitjen në dy dyer: të Bashës dhe të Berishës.

Sidoqoftë, asnjë prej fakteve të mësipërme nuk janë dhe aq të rëndësishëm në raport me kohët që po kalon opozita dhe vendi. Eshtë thelbësore që deputetë të opozitës, figura të rëndësishme të historikut të Partisë Demokratike, të tregohen, të paktën aq luajalë sa aleatët opozitarë të saj.

Të mos thonë gjëra që, në zemërim e sipër me Bashën, të dëmtojnë opozitën.

Përndryshe u qëllon fati i keq i të shndërruarit në ‘ilirmetaj’. Nëse u japin të drejtë kauzave të opozitës, nuk mund të shkojnë në drejtim të kundërt me të.

Pa kthim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb