Gazetari Andi Bushati, në një analizë të publikuar në “lapsi.al” ka argumentuar sot pse sipas tij drama në Partinë Demokratike ka emrin e Sali Berishës:

Nga Andi BUSHATI
Partia Demokratike po përjeton ditët e saj më të zymta duke kërkuar të unifikohet rreth figurës së Sali Berishës, që për më shumë se pesë vitesh po e tërheq atë drejt greminës. Nga ish-hirerkë të lartë të kësaj partie që njihen për qëndrimet e tyre kundër Bashës e deri tek zëra intelektualësh të afishuar pranë opozitës kanë bërë apele për një rikthim të doktorit, si një kompensim ndaj tinëzisë, skuthllëkut dhe meskinitetit të pasardhësit.

Sado absurde të duket kjo kërkesë për rikthim, ajo mund të justifikohej me zhgënjimin, pafuqinë dhe pazarllëkun që ka ngjallur udhëheqja e Lulzim Bashës. Ajo mund të konsiderohej si një shpërthim nga mllefi dhe mungesa e shpresës.

Por, fatkeqësisht nuk është kështu.

Sot e gjithë drama e partisë më të madhe të opozitës po zhvillohet rreth një figure që e mban atë me fytyrë nga e shkuara.

I pari, vetë Basha i ka hedhur gjithë hapat e prishjes së garës së 22 korrikut, e shndërrimit të sfidës në farsë, pasi doli “i ngrirë” nga zyra e doktorit. Vetëm pas kësaj ai adaptoi të njëjtën skemë si ajo që Berisha i la gati katër vite më parë në betejën kundër Olldashit. Vetëm pas kësaj, ai huazoi të njëjtën metodë duke spastruar gjithkënd për t’i hapur rrugën vetes. Pra, nuk ka diskutim se Basha po përdor linjën që ka mësuar nga Berisha dhe me bekimin e tij të plotë.

Por çudia vjen e bëhet më e madhe kur shikon se si kundërshtarët më të egër të Bashës, bëjnë kujdes që të sillen sikur nuk e shohin këtë anomali. Ata hiqen sikur besojnë se Berisha nuk i ka nxjerrë nga zemra, se ai nuk ka dhënë viston për ti flakur, se ai nuk është po aq i vendosur për të kontrolluar përmes pasardhësit edhe atë pak PD që mund t’i mbetet në të ardhmen. I gjithë ky grup të përjashtuarish po humbet përditë besimin duke u futur në situatën absurde të thënies së gjysëm të vërtetave, ndërkohë që kredoja e tyre është transparenca.

Edhe kandidati tjetër në garë, Eduart Selami që ka diskurin e një sfiduesi ekselent, por që bën veprime prej politikani naiv, nuk nguron të thotë se Berisha është një vlerë e PD-së, që i ka thënë sy më sy se do të jetë neutral në këtë garë.

E po t’i shtosh këtyre qëndrimeve të aktorëve të përfshirë në betejë edhe zërat publikë që e shohin doktorin si shpëtim, gjëndja bëhet gjithnjë e më e pashpresë.

Ajo nuk është e tillë për faktin e thjeshtë se Berisha do ende Lulin dhe në emër të tij ka vendosur të vrasë garën.

Ajo nuk është shqetësuese vetëm për faktin se “babai” nuk ka turp të heshtë për mëkatet e të “birit”.

Përmasa e dramës është më e madhe.

Fakti që të gjithë në PD, qoftë armiq të betuar me njëri- tjetrin, qoftë kundërshtarë dinjitozë, apo qoftë mendje më të lira pa tesër parite, asnjëri nuk imagjinon një zgjidhje pa Berishën, flet për tokën djerrë që ka lënë ai nga pas.

Fakti se as nga brenda mureve të selisë dhe as nga ata që e duan PD-në nga jashtë, nuk arrihet të projektohet një rrugë e re, një model i ri, një kthim krahësh si ai që i bëri Anxhela Merkel Helmut Kohlit, është thelbi i krizës që po kalon kjo parti.

Problem i saj real nuk është kjo garë qesharake. Madje as ajo e katër viteve më parë kundër Oldashit. Sado manipulative, antidemokratike dhe të shpifura të jenë ato, po aq mund të shihen edhe si simptoma të një demokracie jo perfekte. Si zgjatime të përçudnuara të anomalive që ndodhin edhe në vende shumë më të zhvilluara të perëndimit.

Por, fakti se në PD nuk lind dot një rrymë mendimi anti berishiste dhe as nuk lulëzojnë dot personat që ta sendërzojnë atë, është mjerimi i vërtetë i kësaj force politike.

Problemi i saj real nuk është marrja peng e kutive që po bën Basha, por marrja peng e mendjeve që ka bërë prej kohësh Berisha.
Pa u çliruar nga kjo, çdo garë do të vijë e do të bëhet më e pabarabartë se ajo e katër viteve më parë dhe akoma më groteske se kjo e këtij korriku.

Dhe shqiptarët do të bëhen gjithnjë e më të shumtë që do të braktisin këtë parti që ende nuk po di ta lexojë, ndëshkimin plebishitar që ata i dhanë Sali Berishës në 2013.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb