Gazetari Andi Bejtja në një shkrim të tij ka analizuar situatën politike në vend, që nga protesta e opozitës në çadër, e deri tek marrëveshja e Bashës me Ramën.

Mes të tjerash ai ngre në pah edhe një çështje, se kush do të fitojë Big Mak-u apo standardet. “Fakti që opozita këtë herë do marrë pjesë me vullnet në zgjedhje dhe do pranojë rezultatin si pasojë e valles që hedhin të dy liderët rreth Big Mak-ut, nuk i jep ndonjë garanci qytetarëve të Shqipërisë se standardet do të plotësohen”, shkruan Bejtja.

Nga: Andi BEJTJTA
Kur çadra e PD-së u hap, kishte dy motive të forta që bëri që dhe njerëz jashtë politikës të futeshin në çadër e ta mbështesnin qoftë dhe nga jashtë: dy motive që në fakt shkriheshin në motivin e dytë e në fakt në qëllimin final: kanabizimi i vendit dhe standardet e zgjedhjeve.

Sot disa javë pas daljes nga çadra, askush, dhe për më tepër lideri i opozitës nuk flet për këtë problem, që ishte çështja kyçe në fushatën çadriste për të siguruar standarde, që ishte problemi kryesor që i bëri dhe ndërkombëtarët ta merrnin seriozisht hyrjen e kësaj opozite në çadër.
Madje dhe kur i foli fermerëve gjatë një dite të fushatës elektorale lideri i opozitës tha se kur të takonte Presidentin Trump në Uashington do t’i fliste numrit një të botës për hallet e tyre që kishin të bënin me produktet e mbetura stok dhe aspak për fushat me kanabis, që akoma nuk e kemi të qartë a do të kenë fuqi në devijimin e rezultatit të zgjedhjeve apo jo.

Sot për fat të keq të shoqërisë shqiptare lideri i opozitës e ka harruar misionin primar dhe thjesht rri buzë Big Mac-t të gatuar nga Kryeministri dhe lideri i mazhorancës, duke pritur që ky i fundit të shkund tubetin e kech-up mbi qoften e Republikës së vjetër të Big Mak-ut, që kur ta kafshojë këtë qofte që ka kohë që rri në frigorifer, t’i duket sikur ha Big Mak-un e Republikës së Re që ka dalë nga furra taze.

Për hir të së vërtetës lideri i mazhorancës di t’ia shkundë mirë tubetin e kech up-it liderit të opozitës në qoften e prishur të standardeve të harruara dhe gjithashtu ishte i sinqertë kur u shpreh se ai nuk e ka pranuar asnjëherë të ashtuquajturën paketë Mcallister. Marrëveshja e pandriçuar akoma për publikun midis dy palëve nuk ishte një marrëveshje për të siguruar standardet që kërkonin pjesa qytetare e këtij vendi, sepse zgjedhjet u shtynë vetëm një javë duke mos lënë asnjë mundësi të plotësoheshin ato kushte që priteshin jo vetëm nga opozita dhe mbështetësit e saj.

Në fakt nuk ishte paketë MC Allister e si e tillë nuk kishte si të ishte edhe MC Allister plus. Fakti që opozita këtë herë do marrë pjesë me vullnet në zgjedhje dhe do pranojë rezultatin si pasojë e valles që hedhin të dy liderët rreth Big Mak-ut, nuk i jep ndonjë garanci qytetarëve të Shqipërisë se standardet do të plotësohen.

Tranzicioni shqiptar ka treguar se gjëja më e vështirë në këtë vend janë jo vetëm bërja e standardeve po dhe ruajtja e tyre. Duke e parë në këtë këndvështrim Big Mak-u, mund të jetë një zhvillim negativ për demokracinë e brishtë shqiptare po nuk pati bateri të duhura sigurie. Dhe si gjithmonë në kapitalizëm dhe demokraci tregu nuk ngel bosh. Sot LSI nëpërmjet ish kryetarit të saj dhe kandidatit për President, e bëri të qartë që jo vetëm forca politike që ai ka drejtuar do të do të ngrejë nga toka flamurin e rënë të standardeve, por edhe institucioni që Ilir Meta do të drejtojë pas 24 korrikut do të bëjë të njëjtën gjë, duke folur hapur për mosdekretim të atyre që do të dhunojnë standardet.

Situata ku ndodhemi është disi paradoksale dhe e pajetuar më parë, kur dy liderët e partive të mëdha rrinë buzë Big Mak-ut, gati në garë se kush do kafshojë më shumë, ndërkohë që Metës, Idrizit apo dhe Blushit i ka rënë ylli i historisë: janë të dënuar që të mendojnë për standardet. Lufta është e hapur dhe e lexueshme. Sot nuk shtrohet më pyetja kush parti do t’i fitojë zgjedhjet, kush do marrë 71 vota, kush do bëjë koalicion me kë. Sot ka vetëm një luftë të hapur dhe një finale: kush do fitojë BIG MAK-u apo standardet. Tubetet me kech-up do vazhdojnë të hidhen mbi qoften e prishur të Big Maku-t e ne s’na mbetet gjë tjetër të shohim nëse do e hajë ky popull këtë qofte siç po e ha Luli me lezet dhe dalëngadalë./Syri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: