TIRANE- Marrëveshja mes Ramës e Bashës për nga ato që arriti për analistin Mark Marku mund të shihet si gota e mbushur përgjysmë, që herë duket si gjysmën plot, e herë gjysmën bosh. Sipas tij, PD-ja doli më e fortë pa kësaj marrëveshje, por sa për Republikën e Re për të cilën fliste Lulzim Basha, Marku tha se ajo i ka humbur shanset të realizohet.

Nga: MARK MARKU

Kriza politike shqiptare ka marrë një kthesë të papritur natën e së mërkurës, kur pas tryezës politike të thirrur nga PR dhe PAA, kryeministri Rama dhe kryetari Basha kanë zhvilluar një takim mes tyre, në fund të të cilit është arritur një marrëveshje dypalëshe për daljen nga kriza. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, Lulzim Basha ka arritur pjesën më të madhe të objektivave të lëvizjes së tij politike duke e detyruar Ramën të lëshojë gjysmën e qeverisë dhe një zv/ kryeministër bashkë me drejtorët e disa prej agjencive kryesore shtetërore, ndërkohë që Rama ka ruajtur postin e kryeministrit duke humbur qeverinë.

Ndërkombëtarët kanë arritur konsensusin e shumëkërkuar për vetingun, ndërkohë që një pjesë e publikut shqiptar përkohësisht ndihet më i lehtësuar për shmangien e një konflikti të gjerë mes palëve që nuk dihej se ç’përmasa mund të arrinte dhe sa kohë do të zgjaste. Më të shqetësuar, me plot të drejtë ndihet ajo pjesë e shoqërisë dhe e elitave kulturore dhe mediatike që shihte te kjo lëvizje mundësinë e një ndryshimi thelbësor të modelit tonë politik.

Si e tillë, kjo marrëveshje të krijon mundësinë e gjykimit të gotës së mbushur përgjysmë, ku pavarësisht predispozitës, mund të shikosh gjysmën plot ose gjysmën bosh, dhe kjo u vu re në debatin që shpërtheu fill pas deklarimit të marrëveshjes. Partitë politike të përjashtuara nga vendimmarrja me të drejtë ndihen të frustruara jo vetëm për shkak të shpërfilljes së tyre dhe arritjes së një kompromisi pa praninë e tyre. Mbështetësit apo kritikët publikë dhe mediatikë ndihen kund më pak e kund më shumë të zhgënjyer nga lëshimet e Ramës dhe Bashës.

Do të ishte mirë që gota të shihet ashtu siç është me të dy gjysmat, madje jo vetëm në tërësinë e vet, por edhe në kontekstin ku ajo na ekspozohet. Një shikim i tillë nënkupton vendosjen e saj në parametra të pragmatizmit politik të aktorëve politikë të përfshirë në të dhe të një perspektive afatgjatë të sistemit tonë politik ose e thënë ndryshe e shikuar kryesisht në dimensionin e saj pastërtisht politik apo pastërtisht moral. Sepse ajo i ka së paku këto dy përmasa dhe si e tillë duhet parë.

Natyrisht edhe pse të dyja përmasat nuk janë qartësisht të dallueshme dhe interferojnë njëra me tjetrën. Marrëveshja Rama-Basha si pakt politik. E vendosur në grilën e pragmatikës politike, marrëveshja e djeshme mund të konsiderohet si përfundimi i suksesshëm i aksionit opozitar të Bashës të nisur më 18 shkurt dhe që synonte garantimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Opinioni publik shqiptar i ka ende në kujtesë rrethanat kur Basha e filloi aksionin e vet politik.

Një vend i kërrusur nën peshën e aktivitetit të rrjeteve të narkotrafikut, një qeveri e shkrirë qartësisht me këtë rrjet, një kryeministër arrogant që po fuste në dorë të gjitha pushtetet, një opozitë e pafuqishme për t’u përballur me këtë gjendje qoftë për shkak të përgjegjësive të veta, qoftë për shkak të degradimit të situatës, media të kontrolluara, elita akademike të korruptuara dhe të nënshtruara, shoqëri civile e vënë në shërbim të qeverisë, institucione ndërkombëtare që kishin futur kokën si struci në rërë dhe që ose refuzonin ta shikonin realisht atë që po ndodhte, ose bashkëpunonin në mënyrë të paturpshme me qeverinë. Zërat kritikë pakësoheshin dita-ditës dhe shoqëria po zhytej në një depresion të tillë saqë kishte filluar ta pranonte hapur perspektivën e një republike shqiptare narko-socialiste të tipit Cavez me zgjedhje të manipuluara.

Pikërisht në këtë moment kur dukej se kjo perspektivë ishte e pashmangshme, Lulzim Basha filloi lëvizjen e tij, duke i nxjerrë njerëzit në rrugë më 18 shkurt e më pas duke ngritur çadrën përballë Kryeministrisë. Përmes aksionit të tij politik në pamje të parë të pashpresë, ai arriti që në një periudhë shumë të shkurtër ta trondiste qeverinë në pamje të parë të pandalshme në rrugën e saj. Duke denoncuar përfshirjen e saj në rrjetet e narkotrafikut, ai arriti që problemin deri atëherë të njohshëm, por të pangritur si një kërcënim serioz për shoqërinë shqiptare, ta bëjë sensitiv për opinionin publik dhe ta detyrojë faktorin ndërkombëtar që ta njohë si problem.

Falë kësaj lëvizjeje ai u krijua si lider real i PD-së dhe si palë serioze negociuese në politikën shqiptare. Krijoi simpati dhe mbështetje në grupe intelektuale dhe individë që deri atëherë e kishin parë me mosbesim, theu embargon mediatike dhe e bëri të pavlefshme propagandën e fuqishme qeveritare.

E mbyll këtë aksion me një pakt që e detyron qeverinë, së pari të shkarkojë dy ministra bashkë me gjithë drejtorët e policisë e më pas në aktin e fundit i rrëzon Ramës qeverinë duke e bërë atë kryeministrin më të çuditshëm të të gjitha kohërave që e mbyll mandatin si një kryeministër që edhe pse ka shumicën dërmuese në parlament, përfundon si kryeministër pa qeveri të përcaktuar prej vullnetit të tij politik, ose e thënë në zhargonin popullor, si një ministër teveqel. Në fund të fundit, Basha nuk kishte asgjë nga këto që ka marrë prej paktit dhe Rama i kishte të gjithë këto që i janë dhënë Bashës.

PIKËPYETJET MBI MORALITETIN E PAKTIT RAMA-BASHA NË PLANIN PERSPEKTIV

Në një këndvështrim moral, pakti ngre shumë pikëpyetje dhe dyshime që me të drejtë kanë filluar të ngrihen nga figura përfaqësuese intelektuale apo mediatike. Pikëpyetjet dhe dyshimet ngrihen me të drejtë nga ajo kategori që e kanë mbështetur Bashën dhe lëvizjen e tij për disa arsye (ku bën pjesë edhe autori i këtij shkrimi). Së pari, sepse aksionin e Bashës e kemi parë si mundësi për t’i vënë fre autoritarizmit dhe arrogancës fyese në rritje të Ramës. Së dyti, sepse kemi mbështetur kauzën e zgjedhjeve të lira si e vetmja alternativë për progresin e vendit dhe integrimin e tij në Europë, së treti, sepse refuzojmë perspektivën e shndërrimit të Shqipërisë në një Kolumbi, Afganistan apo në një lloj makrolazarati, perspektivë kjo që zhduk çdo mundësi jete demokratike normale për qytetarët normalë.

Dhe së fundi, sepse lëvizja e Bashës me simbol çadrën, është shpallur në mënyrë metaforike si një agora e demokracisë shqiptare, ku është premtuar rifillimi i një marrëdhënieje të re mes PD-së dhe shoqërisë shqiptare, mes PD-së dhe elitave progresive, si një laborator i krijimit të një modeli të ri politik dhe zhdukjen e modelit të vjetër. Është kjo arsyeja pse intelektualë dhe personalitete të fushave të ndryshme e kanë përshëndetur, mbështetur apo vizituar çadrën, është kjo arsyeja pse Basha fitoi simpatinë e shumë individëve dhe grupeve deri atëherë mosbesues apo kritikë ndaj PD-së dhe liderit të saj Basha.

Basha që aty shpalli republikën e re, gjë që përputhej me shpresën dhe dëshirën e shumë njerëzve në këtë vend për t’i dhënë fund modelit politik që kemi ngritur në këta 27 vjet demokraci dhe që është shndërruar në një makth të tillë për shqiptarët, aq sa shumë prej tyre, duke i ngatërruar deformimet dhe dështimet e sistemit tonë demokratik, janë bërë mosbesues ndaj vetë demokracisë. Shumë prej nesh e kemi parë idenë e Republikës së Re të Bashës si premisën për të ndërtuar një model të ri të sistemit tonë politik, edhe pse mes nesh nuk gjen naivë të tillë që ta ngatërrojnë deklarimin e Republikës së re me vetë Republikën e re.

Lëvizja e Bashës ishte thjesht një premisë. Vetë Basha e fitoi simpatinë e kësaj kategorie të shoqërisë sidomos për shkak të këmbënguljes. Madje refuzimi i paketës së McAllister-it prej tij, edhe pse një veprim ekstremisht i rrezikshëm, u pa si një shenjë e koherencës. Basha me këtë veprim dhe me aksionin e vet politik vërtet e vuri në rrezik ekzistencën e PDsë si një parti e ardhshme parlamentare për një kohë të shkurtër, por krijoi mundësinë për shndërrimin e saj në një lëvizje që do godiste frontalisht modelin e vjetër për të krijuar një model të ri.

Pas paktit Rama-Basha është e sigurt që PD-ja ka dalë më e fortë si parti, por i ka pakësuar shanset për realizuar idenë e realizimit të Republikës së Re përmes një lëvizjeje. Jo vetëm sepse rritet mundësia që koleksioni i figurave të vjetra të PD-së së vjetër të ngurtësohen aty përjetësisht, por edhe sepse gjithë ata që iu bashkuan PD-së dhe e mbështetën atë si në një lëvizje për ndryshim të rikthehen në pozicionet e tyre duke mos e parë atë si instrument të një kauze për realizmin e një modeli politik, por thjesht si një parti të sistemit. Mbetet për t’u parë nëse Basha deri më 25 qershor i gjen modalitetet për të bërë bashkudhëtarë të kauzës së Republikës së Re edhe këtë kategori.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb