TIRANE- Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar pas ankesave të ambasadores greke në Shqipëri për vendosjen e gurëve të Filatit nga krahina shqiptare e Çamërisë në sheshin ‘Skënderbej’. Sipas PDIU, ankesa e bërë nga ambasadorja greke është ndërhyrje në punët e brendshme të vendit dhe fyerje ndaj historisë së kombit shqiptar.

DEKLARATA E PDIU:
Ankimi i bërë nga ambasadorja e Greqisë për vendosjen e gurëve të Filatit nga krahina shqiptare e Çamërisë në sheshin Skënderbej është jo vetëm një ndërhyrje e ulët në punët e brendshme të Shqipërisë, por edhe një fyerje ndaj historisë së kombit shqiptar. Në sheshin që mban emrin e heroit tonë kombëtar janë vendosur gurë nga të katërta anët e trungut etnik shqiptar dhe kuptohet që Çamëria është pjesë e pamohueshme e historisë së kombit tonë. Përpos kësaj, më habit se si gojë Greqia të ankohet, kur dihet që jo vetëm ka gllabëruar trojet etnike shqiptare dhe mohon të drejtat e pakicave etnike por ka ushqyer vazhdimisht pretendime të tjera ndaj territorit shqiptar. Mjafton të shikohen emrat e qyteteve të Republikës së Shqipërisë të gdhendur në murin e Parlamentit në sheshin Sintagma të Athinës për të kuptuar që oreksi shovenist i Megali Idesë vazhdon të jetë gjallë në politikën greke. Prandaj i bëj thirrje ambasadores greke, që të heqi dorë nga çdo përpjekje për të fshehur të vërtetën apo për të shtrëmbëruar historinë e Çamërisë, dhe të pranojë njëherë e mirë që ai truall që është zaptuar dhunshëm nga shteti grek, ka të zotët e vetë, dhe ata janë shqiptarë. Unë e siguroj atë, që kthimi ynë në atë truall, është vetëm çështje kohë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: