NGA VJOLLCA KONGJONI
Duke patur një buxhet pranë minimumit jetik, prej 700 mijë lekësh të vjetra në muaj, familjet shqiptare harxhojnë më shumë për t’u ushqyer. Anketa e Buxhetit të Familjes për vitin 2015, publikuar nga INSTAT, ka evidentuar një rritje të peshës së ushqimit në shportën e shpenzimit të familjeve dhe ulje për arsimin dhe argëtimin.

Drejtoresha e Instat, Delina Ibrahimaj, konfirmon se rritja e shpenzimeve familjare për ushqimin ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve.

Në një kohë kur buxhetet familjare janë të vogla, jetesa në vend është bërë më e shtrenjtë. Një familje shqiptare me katër anëtarë shpenzon mesatarisht në muaj 710 mijë lekë të vjetra, apo 180 mijë lekë për frymë, shifër kjo në nivelin e minimumit jetik. Të dhënat janë bërë të ditura nga INSTAT dhe i referohen vitit 2015.

Por si e kanë harxhuar këtë shumë shqiptarët? Gjysmën, pra 350 mijë lekë në muaj familjet i konsumojnë për të blerë ushqimin e përditshëm ndërsa kërkesat e tjera jetësore renditen dytësore. Sipas drejtoreshës së përgjithshme të INSTAT, Delina Ibrahimaj, rritja e shpenzimeve për ushqim ka ardhur për shkak të rritjes së çmimeve në këtë grup.

Një peshë të konsiderueshme prej 10% të portofolit të shpenzimeve të familjeve në vend e zë sipas Institutit të Statistikave, fatura e ujit, e energjisë elektrike dhe qiraja për banesën. Edhe për transportin qytetarët harxhojnë një pjesë të mirë të buxhetit mujor të tyre. Ajo që bie në sy nga anketimi i realizuar një vit më parë nga INSTAT është fakti se vetëm një pjesë e vogël e portofolit familjar shkon për Arsimin dhe argëtimin.

Përsa i përket ndarjes gjeografike, Vlora mbetet qarku më i varfër në vend me një shpenzim mujor të familjeve prej 500 mijë lekësh të vjetra. Pak më mirë paraqitet Elbasani dhe Dibra. Ndërkohë që kryesojnë familjet në kryeqytet me një buxhet të shpenzuar në muaj prej më shumë se 800 mijë lekësh të vjetra, më pas qarku i Lezhës me 790 mijë si dhe Gjirokastra, Shkodra e Durrësi me 740 mijë lekë.

Nëpërmjet këtij anketimi për 2015-ën, Instituti i Statistikave ka vrojtuar mbi 7 mijë familje në të gjithë territorin e vendit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb