Nga: KLODIANA LALA
Gjykata e Apelit cakton masën e sigurisë “arrest me burg” për Lefter Sulkajn, pronarin e kompanisë farmaceutike “Sulkaj” shpk, njëherazi administrator i spitalit Gjerman, pasi dyshohet për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.

Burime nga prokuroria thanë se Sulkaj, ka përfituar shumë të konsiderueshme parash, të cilat ua zhvaste qytetarëve të ndryshëm, duke iu premtuar se do ti bënte aksionerë në kompaninë e tij apo në spitalin gjerman. Nga hetimet ka rezultuar se njërin nga qytetarët, ai e ka emëruar për një periudhë 2 mujore si administrator të spitalit gjerman dhe në këmbim i ka marrë shumën prej 500 mijë eurosh. Gjithashtu ka dyshime të forta, se Sulkaj ka përfituar shuma të mëdha, edhe nga kreditë bankare, ku ka lënë si kolateral asetet e kompanisë së tij dhe shtëpitë e vëllezërve. Mashtrimet u zbuluan pas denoncimeve të bëra në adresë të tij nga qytetarë të ndryshëm, mes të cilëve dhe nga djali i dajës së të dyshuarit.

Dy javë më parë, me kërkesë të prokurorisë, gjykata caktoi masën e arrestit me burg në mungesë ndaj Sulkajt, i cili u ndalua teksa ndodhej me pushime. Tri ditë më vonë, gjykata e zbuti masën ndaj pronarit të Sulkaj shpk duke e dërguar në arrest shtëpie. për shkak se nuk ishte dakord me këtë vendim, prokuroria e apeloi atë.

Një treshe gjykuese e apelit vendosi të prishë vendimin e shkallës së parë dhe ta ashpërsojë sërish masën e sigurisë për këtë të dyshuar.

Nga arrest shtëpie, Apeli caktoi për të dyshuarin masën e arrestit me burg dhe mbi bazën e saj, ai duhet të transferohet në qelitë e paraburgimit, dhe të hetohet për mashtrimet e kryera.

Policia bën të ditur se ka marrë në dorëzim urdhrin dhe pritet ekzekutimi i tij. Prokuroria tha se po heton të gjitha rastet e mashtrimit, për të cilat ka dyshime se Sulkaj i ka kryer në bashkëpunim edhe me zyrtarë të lartë në bankat e nivelit të dytë në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: