SHKODER– Kur mbushen 550 vjet nga beteja e fundit e fitores së Gjergj Kastriotit në Krujë kundër pushtuesve osmanë, në Shkodër ka mbërritur një grup arbëreshësh nga Italia për ta kujtuar këtë event.

Me këngë, valle e kostume tradicionale të ruajtura në mbi 5 shekuj, arbëreshët u pritën në Shkodër nga shqiptarë të ardhur nga të gjitha trevat shqipfolëse në manifestimin që mban emrin “Vallja e Fitores”.

Noe Andreano, kryetar i komunës Pulia në Itali, një arbëresh që nuk ka harruar të parët e tij shprehet se Shqipëria është vendi i zemrës.

Ai nuk mund të flasë shumë shqip dhe apelin e tij Andreano e bën në gjuhën italiane.

“Me të vërtetë shqiptarët e kuptojnë italishten, por është e mira që të ruajnë edhe gjuhën shqipe, dhe për këtë duhet të punojnë edhe institucionet, e qeveria shqiptare. Neve e shohim historinë tek ju këtu, dhe ju duhet të mësoni nga ne nga ato që na kanë ngelur, por edhe ne duhet që të mësojmë nga ju. Është e rëndësishme të jemi të bashkuar. Si ka thënë Skënderbeu, bashkimi bën fuqinë, kështu duhet që të jemi të gjithë bashkë, të bashkuar që të na njohë Europa. Arbëreshët duhet që të njihen nga UNESCO duke qenë se ende nuk njihen”, tha Andreano.

Organizatorët e ardhjes së arbëreshëve në Shkodër dhe të kësaj feste, shprehen se ndjehen tejet të lumtur për këtë aktivitet që zhvillohet për herë të parë.

“Vallja e Fitores” është trashëguar në më shumë se 5 shekuj tek arbëreshët dhe festohet në çdo 24 prill duke përkujtuar fitoren e ushtrisë të Skënderbeut në 24 prill të 1467-ës në betejën e fundit me osmanët, ndërsa si mesazh i atij triumfi njihet shprehja “ndalni vajtimin për të rënët dhe shijoni gëzimin e fitores”. Pjesë e përkujtimit nga arbëreshët për këtë ngjarje ka qenë edhe ndezja e flakadanëve në 5 kala shqiptare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: