KORÇË- Arkitekti i famshëm gjerman, Peter Wilson i studios “Bolles & Wilson”, personi i cili prej disa vitesh ka sjellë një dorë ndryshimesh në imazhin e qytetit juglindor dhe autori i planit rregullues të qytetit të Korçës ka vizituar ambientet e fabrikës së birrës ‘Korça’.

Teksa ka mbërritur në qytetin e Korçës për të vijuar punën e tij, e cila pas planeve arkitekturore në qendër do të vijojë në zonën përreth fabrikës së Birra “Korça” , Wilson është ndalur edhe tek ambientet e fabrikës e cila sipas tij është një prej elementeve më të fortë konform vizionit të tij për këtë zonë të qytetit. Në ambientet e gjigandit të Birrës, i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku i qytetit Sotiraq Filo, Wilson u prit nga presidenti i kompanisë, Irfan Hysenbelliu.

Syrit të mprehtë të arkitektit nuk i ka shpëtuar asnjë nga detajet e kësaj fabrike e cila në çdo cep të sajin është kuruar me kujdes të veçantë.

“Është një vlerë e këtij qyteti fakti që kjo fabrikë ndodhet këtu dhe vazhdon punën. Vlerësimet e mia maksimale dua t’i jap për mënyrën sesi rikonstruksioni ka ditur të ruajë vlerat unike të saj, origjinalitetin duke e bërë atë një model zhvillimi për gjithë zonën”, tha Wilson. “Provova edhe birrën dhe pa diskutim ajo është shumë cilësore, është e një niveli të lartë” – u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb