TIRANË- Nëse gjykata nuk i liron protestuesit e arrestuar, duhet t’i lirojë Presidenti. Kështu shprehet avokati Spartak Ngjela në rubrikën “Opinion” në News24 duke iu referuar arrestimit të dhjetëra qytetarëve që morën pjesë në protestën e së shtunës kundër tarifës së “Rrugës së Kombit”.

Ngjela tha se Gjykata duhet t’i lirojë sepse nuk ka krim të rëndë por nëse kjo nuk ndodh atëherë ndërhyn presidenti me falje, raporton “BalkanWeb”.

“Do të keni parasysh një gjë se juridikisht ka një rregull që ligji ka karakter formal dhe jo logjik. Këta janë njerëz që kanë bërë një dëm, që do ta paguajë shteti. Kush e ka fajin? Nuk kisha bukë thotë, nuk e përballoja dot jetën. Atëherë është në nevojë ekstreme, është domosdoshmëri e nivelit juridik. Nëse ligji ka prapë karakter formal dhe nuk i lëshon gjykata, shteti ka shkelur në një gjë të paligjshme, janë përgjigjur me paligjshmëri. Do duhet t’i lirojë presidenti, me falje, nuk duhet të rrinë në burg. Se kanë shumë të sigurt nga gjykata.
Kuksianëve ua kanë paguar paratë që iu kanë përmbytur qytetin. Shteti iu ka debi të madhe që i ka përmbytur Fierza. Ua ka dhënë. Ka një debit ndaj tyre. Kjo është drejtësia, nuk është pushteti yt. Pushteti yt rrezikohet, nuk e bën dot, ikën në shtëpi. Po bën gabime shumë të rënda që të mos dorëzosh pushtetin. Ku e gjeti pronë ky. Unë kam biseduar me njerëz konkretë që i njohin. Është një qytet shumë i varfër sepse s’ka burime financiare, nuk ka punë. Kam dëgjuar që aeroportin e kërkon Uashingtoni, po ky se jep. Nuk e di sa e saktë është, kam dëgjuar.
E vetmja rrugë është ajo që thashë, meqë ligji ka karakter formal, të vejë tek Presidenti. E mira është të mos ketë vendim. Gjykata nuk duhet të vendosë masë arresti se është krimi shumë i lehtë. Por nëse gjykata nuk i liron, duhet t’i lirojë Presidenti”, deklaroi Ngjela.

Për sa i përket rolit të kryeprokurores Arta Marku në këtë çështje, Ngjela tha se ajo nuk ka çfarë të bëjë.
“Nuk ka çfarë të bëjë. Ajo është si kalë, ajo është akuza. Ajo do vazhdojë të hetojë. Është tronditje shoqërore. Ajo nuk di si ta zgjidhë, ose di si ta zgjidhë por nuk është në kohën e saj”, deklaroi Ngjela.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb