Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Angel Maria Villar, është arrestuar të martën paradite, bënë të ditur burime zyrtare.

Janë arrestuar edhe persona të tjerë, mes të cilëve djali i tij Gorka dhe një drejtues i lartë i federatës.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se arrestimet janë kryer në kuadrin e një hetimi për korrupsion.

“Presidenti i RFEF akuzohet për abuzime financiare në ndeshjet që ka zhvilluar seleksioni spanjoll i futbollit me seleksione të tjera, duke i siguruar të ardhura financiare edhe të birit”, theksohej në një njoftim të Gardës Civile, që ka realizuar arrestimet.

Angel Maria Villar, 67 vjeç, është i angazhuar me futbollin spanjoll që nga viti 1988. Ai është gjithashtu zv/president i UEFA-s dhe FIFA-s.

Zëdhënësi i qeverisë spanjolle, Inigo Méndez de Vigo, ka reaguar menjëherë lidhur me arrestimin e tij në televizionin publik, duke theksuar se “Asnjë person nuk është i paprekshëm, të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb