Një qendërsulmues shqiptar për të qenë alternativa e Pero Pejiçit. Kukësi është pranë marrëveshjes me bomberin korçar të Ligës së Dytë greke, Rodion (Antonis) Zguri. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se drejtuesit e klubit kanë arritur në parim akordin me 29-vjeçarin dhe gjasat janë që të firmosë kontratën në ditët e ardhshme.

Mësohet se Zguri është pëlqyer nga stafi teknik, për më tepër që është një lojtar, i cili në sezonin e fundit ka luajtur 30 ndeshje të plota në Ligën e Dytë greke me Aiginiakos, ku shënoi tetë gola. Në vitet e kaluara Zguri ka qenë gjithnjë golashënues i spikatur me skuadra të Ligës së Dytë. Pavarësisht faktit se nuk ka luajtur asnjëherë në elitën e futbollit helen, Zguri vlerësohet shumë edhe nga mediat greke, si një qendërsulmues me potencial të jashtëzakonshëm fizik.

Ai është 1.90 metra i gjatë dhe mund të përshtatet jo vetëm në majën e sulmit, por edhe nga krahët. Zguri ka lindur në Korçë, në vitin 1988, dhe ka emigruar me familjen në moshë të vogël drejt shtetit helen. Ai zotëron dy nënshtetësi, atë shqiptare dhe greke. 29-vjeçari është studiuar mirë dhe fakti që është sugjeruar nga të njëjtët agjentë që afruan emra si Rrumbullaku, Kale dhe Alla, ka bërë që drejtuesit të jenë të bindur për potencialin e tij. Për korçarin kanë shkruar edhe mediat greke, të cilat raportonin se nuk rinovoi me Aiginiakos për shkak të një oferte joshëse që ka marrë nga një klub shqiptar./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: