Gjysmëfinalja e parë e “Champions League” mes Real dhe Atletico Madrid ishte jubilare për Cristiano Ronaldon. Fituesi i katër herë “Topit të Artë” falë tre golave të tij i dha fitoren “galaktikëve” por gjithashtu arriti edhe një rekord personal, 400 gola me bluzën “merengues”.

I pranishëm për të uruar portugezin sot në seancën stërvitore ishte presidenti i klubit, Fiorentino Perez, që i dhuroi në mënyrë simbolike bluzën me 400 gola.

Në një prononcim për këtë kuotë të jashtëzakonshme golash, Ronaldo nuk harroi të falënderonte shokët e skuadrës dhe gjithashtu të thumbonte në mënyrë të drejtpërdrejtë rivalin e tij më të madh, Lionel Messin. Ky i fundit cilësohet shpesh si “jashtëtokësor” për ato që bën në fushën e lojës ndërsa portugezi u shpreh i lumtur që ishte “nga ky planet”, raporton gazeta spanjolle “AS”.
PAY-9Y9A6996-470x313
“Ndjehem mirë, përgatitem për fazën finale të kampionatit dhe të Ligës së Kampioneve. Sigurisht që duhet edhe pak fat, pasi gjërat që përgatit, po realizohen me sukses, si për mua si për ekipin. Për këtë arsye them se me përkushtim e duke punuar shumë, të gjitha gjërat realizohen në mënyrë të natyrshme. Jam i lumtur dhe me fat, si dhe jam nga ky planet”, deklaroi ai.

“Arritja e shifrës së 400 golave është shumë e veçantë. Është një sasi e madhe golash, nuk e prisja. Është fryt i punës së të gjithë ekipit, të të gjithë njerëzve që punojnë në klub dhe të tifozerisë që na mbështet. Unë do të mundohem të bëj më të mirën në vitet që kam në kontratë me Realin, të shënoj gola si gjithmonë dhe të bëj të mundur që Reali të vazhdojë të fitojë trofe”, deklaroi ai.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb