TIRANEPas akuzave të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të bëra disa ditë më parë se është asgjësuar kanabis në mënyrë të paligjshme, pa u mbajtur procesveral dhe duke u përjashtuar organi i akuzës, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i është përgjigjur sot përmes një letre publike. Në reagimin e tij Xhafaj shkruan se deklarata të tilla cenojnë frymën pozitive të besimit e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Ministri i Brendshëm e ka sfiduar publikisht Prokurorin e Përgjithshëm duke i kërkuar të bëjë publike emrat e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë shkelur ligjin gjatë asgjesimit të kanabisit. Ndër të tjera ministri kërkon një raport të ri bashkëpunimi institucional mes policisë dhe Prokurorisë.

Letra e plotë:
I nderuar Zoti Prokuror i Përgjithshëm!

Ndjek me vëmendje çdo qëndrim publik të Institucionit që Ju drejtoni, pse konsideroj tejet të ndërlidhur punën dhe suksesin e Prokurorisë me atë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në detyrën e re të Ministrit të Punëve të Brendshëm, kam realizuar takimin tim të parë institucional me Ju, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit, thjeshtimin e raportit përkatës dhe dëgjuar tërësinë e problemeve e çështjeve të përbashkëta që Ju shqetësojnë.

Komunikimi më i fundit publik i Juaji, përkatësisht gjatë takimit në prezencë të medias e drejtuesëve të hallkave të ndryshme të Prokurorisë, me Ministrin e Drejtësisë zotin Vasili, përmbante një shqetësim Tuajin për mospërfshirje totale të Prokurorëve në mënyrën sesi administrohen, sekuestrohen dhe asgjësohen lëndët narkotike!

Ky fakt nëse mbetet i provueshëm dhe i vërtetë, së pari më bën përshtypje se përse nuk u diskutua në takimin e përbashkët e nuk gjen asnjë gjurmë të ndonjë komunikimi zyrtar të mëparshëm mes dy Institucioneve! Gjithsesi, për të qenë sa më korrekt në këtë reagim i’u referova edhe dy raporteve tuaja për gjendjen e kriminalitetit, të paraqitura në vitin 2016 dhe në fillim të këtij viti në Kuvendin e Shqipërisë dhe në të gjitha faqet e atyre raporteve, që shpjegojnë shumë detaje, nuk gjendet asnjë rresht i vetëm lidhur me këtë akuzë të artikuluar publikisht nga Ju disa ditë pasi keni paraqitur raportin tuaj në Kuvend!!!

Deklarata juaj e përcjell në këtë mënyrë çmoj se cënon frymën pozitive të besimit dhe bashkërendimit të punës, që ne kemi diskutuar e jemi dakortësuar të kultivojmë në punën e përbashkët të prokurorëve edhe strukturave të policisë gjyqësore, në përpjekjet e përditshme për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.

Së dyti, duke njohur detyrimet proceduriale penale si dhe të akteve të tjera ligjore që disiplinojnë qartazi mënyrën e dokumentimit, administrimit dhe ruajtjes së sendeve dhe provave të sekuestruara në kuadër të një procesi penal, çmoj t’Ju them se, roli i Oficerit të Policisë Gjyqësore dhe ai i Prokurorit, jo vetëm që lidhen organikisht mes tyre, por ndërvaren plotësisht me natyrshëm, përcaktim të autoritetit superior, atij të Prokurorit.

Në këtë aspekt, edhe procedura e asgjesimit të lëndëve narkotike me djegie është po kaq e qartë, ku prezenca e Prokurorit është e domosdoshme, dokumentimi i saj i përhershëm e me nënshkrim të të gjithë pjesëmarrësve.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë, ai i Gjykatës, Eksperti i Institutit të Policisë Shkencore, Specialisti i Hetimit në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, të gjithë këta nën kryesinë e Prokurorit, përbëjnë grupin e domosdoshëm të punës që në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, Ligjit për Policinë e Shtetit, Ligjit për Parandalimin dhe Luftën ndaj Trafikut të Substancave Narkotike dhe Psikotrope, si dhe udhëzimit të përbashkët të Ministrit të Punëve të Brendshme, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministit të Shëndetësisë, realizojnë sa më lart.

Shkeljet e pretenduara prej Jush publikisht, për më tepër si tërësi praktike, kalojnë cakun e përgjegjësisë administrative.

Mirëpres nga ana juaj të evidentoni shkeljet konkrete dhe personat përgjegjës në rradhët e Policisë së Shtetit. Duke njohur përgjegjësitë për institucionin që unë drejtoj jam i gatshëm të ndëshkoj cdo shkelje të ligjit në rradhët e tij. Jam i sigurt, referuar shqetësimit publik që Ju ngritët, se të njëjtën gjë do të bëni edhe Ju edhe për drejtuesit e prokurorive përkatëse që kanë lejuar situata të tilla paligjshmërie.

Për sa më sipër, duke Ju siguruar për veprimin tim të menjëhershëm deri në kufijtë që më lejon ligji, në ndëshkim të çdo rasti në mënyrë të shëmbullt, pres prej Jush krahas informacionit zyrtar që dispononi, edhe përmbushjen e detyrës Suaj proceduese penale, ndaj secilit individ që i provohet shkelja.

Unë besoj fort se prokurorët e ndershëm në rradhët e prokurorisë, në reflektim edhe të frymës së ndryshimeve të reja kushtetuese do të jenë të pandikuar nga emocionet dhe interesat e politikës së ditës.

Shpresoj, që së bashku të punojmë për të ndërtuar një frymë dhe marrëdhënie të re bashkëpunimi institucionale në shërbim të zbatimit të kushtetutës e ligjit, në interes të qytetarëve.

Për transparencë me opinionin dhe reciprocitet të përzgjedhjes së diskutimit të çështjes, kjo kërkesë Ju përcillet po aq publikisht.

Me konsideratë

Ministri i Punëve të Brendshme

Fatmir XHAFAJ
Letra 1Letra 2

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb