VLORE– Policia e Vlorës ka asgjësuar 3515 bimë narkotike në fshatrat Kallarat, Treblovë dhe Kotë. Sakaq janë sekuestruar 19.7 kg lëndë narkotike në banesën e një shtetasi, dhe në pranga ra autori i dyshuar. Gjatë kontrollit të ushtruar përreth një banese të banueshme në fshatin Kallarat, janë gjetur të kultivuara 106 bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva.

Gjithashtu, ngjitur me banesën janë gjetur 2 thasë me thurje brenda të cilëve përmbanin lëndë narkotike me peshë prej 19.7 kilogramë, e dyshuar si Cannabis Sattiva.

Për këtë ngjarje, policia ka arrestuar në flagrancë pronarin e banesës, shtetasin Resul Ismailaj, 63 vjeç, si autorin e dyshuar në lidhje me këtë vepër penale.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Treblovë, pranë vendit të quajtur “Përroi i Madh”, janë gjetur 4 parcela toke publike e papunuar me 3404 bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva, me gjatësi 30­100 cm.

Dyshohet se këto bimë narkotike kanë mbirë vetë për shkak se vitin e kaluar janë asgjësuar bimë të ngjashme të mbjella në të njëjtin vend dhe që mendohet të jenë favorizuar nga kushtet klimaterike.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Kotë, pranë një përroi, janë gjetur të mbjella në pronë publike 5 bimë narkotike të dyshuara si Cannabis Sattiva.

Materialet janë referuar në Prokurori:
– për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, nenet 283/1 dhe 284/1 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Resul Ismailaj.
– për “Vlerësim juridik”, për dy rastet e tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: