LEZHË- Koalicioni i majtë ka prezantuar sot në Lezhë, kandidatin për kryetar Bashkie, Viktor Tushaj. Gjatë prezantimit të Tushaj, i cili është edhe kreu aktual i kësaj bashkie, kryeministri Edi Rama tha se zgjedhjet për pushtetin lokal nuk janë zgjedhje për të ndryshuar parlamentin por për ti dhënë zgjidhje problemeve të qytetit.

Rama tha se Bashkia e Lezhës dhe kryetari i saj në dy mandate e ka pasur shumë të vështirë të bashkëpunojë me qeverinë e kaluar, por në 18 muaj ka bërë më shumë se ç’është bërë në 20 vjet.

“Është kënaqësi që duke ardhur këtu, kam ardhur edhe herë të tjera edhe tek sheshi, nuk kishte dele që kullosnin mes plehrave të memorialit të Skënderbeut, po kishte vajza e gra, pamje shumë e bukur. Ata të cilët kurrë nuk e kuptuan e lanë praktikisht çdo qytet të Shqipërisë pa sheshin e vet. Pa pikën ku qytetarët kanë edhe pikën e gravitetit të vetë, pa hapësirë kryesore publike që është vendburimi i energjive njerëzore që qyteti mbledh dhe shpërndan. Në 18 muaj ne bëmë për Lezhën një volum investimesh që është disa herë më i madh se ç’u bë në 20 vite të marra së bashku. Në 4 vitet e tjera me Viktorin ne do të bëjmë shumë herë më tepër se në këta 18 muaj”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se qytetarët duhet ta mendojnë dy herë para se të votojnë, për të zgjedhur kandidatin që do të bëjë më shumë punë.

“Po më thoshte dikush, pse duhet ta votojmë një kryetar bashkie që e kemi pasur për 8 vjet? Në radhë të parë për një arsye të thjeshtë, se vota në 21 qershor nuk është një votë politike, por të për të vendosur se kush është njeriu që mund të bëjë më shumë punë për qytetin. Edhe demokratët më të flaktë duhet ta mendojnë 2 herë votën e tyre për arsyen e thjeshtë se nuk po zgjedhin një deputet se po ndërrojnë parlamentin. Qeveria nuk është kjo. Me votën e 21 qershorit duhet të mendojnë se kush është kandidati që do të na bëjë më shumë punë, pa hyrë tek cilësitë e kreut të Bashkisë”, tha ai.

Rama theksoi se Viktor Tushaj nuk është veç kandidati i LSI-së por i Aleancës për Shqipërinë Europian dhe i përfaqëson të gjithë. Ai konfirmoi mbështetjen ndaj tij.

“Viktor Tusha nuk është kandidati i LSI-së por është kryetari i Bashkisë së Aleancës për Shqipërinë Europiane, i zgjedhur së bashku për të na përfaqësuar të gjithë së bashku. Sot ne kemi vendosur pa asnjë lloj hezitimi të mbështesim rikonfirmimin e Viktorit sepse ka gjithë eksperiencën që i duhet. Një eksperiencë që do të jetë shumë e rëndësishme për qytete si Lezha”, u shpreh kryeministri.

Më tej, Rama vlerësoi punën e Tushajt në krye të bashkisë së Lezhës dhe përpjekjet e tij për të zgjidhur shumë probleme të qytetit.

“Nuk mund të gjykohet puna e Viktorit që ka bërë para 18 muajsh nga larg. Puna e Viktorit të gjykohet për këto 18 muaj. Viktori ka qenë i pari kryetar Bashkie, që ka bërë përpjekjen e parë, donkishoteske për të futur ndarjen e mbeturinave dhe seleksionimin e tyre dhe për të hapur një epokë të re në jetën e qytetit. Sot që kemi një bashki të re dhe praktikisht qyteti lidhet me detin dhe bëhet një bashki me det, problemet e vjetra mund të marrin zgjidhje të reja. Problemi i vjetër i plehrave që është një skandal në të gjithë Shqipërinë mund të marrë zgjidhje. Problemi i transportit. Nuk kemi thënë asnjëherë se do ta bëjmë Shqipërinë si Gjermaninë. Ky sistem që ne po fusim në fshat do ta transformojë tërësisht jetën në fshat”, tha ai.

Kreu i qeverisë tha se reformat nuk janë mjaltë por ilaçe, rezultati i të cilave vjen më pas. Rama e quajti “lala Gjoni”, ish-kryeministrin Berisha duke thënë se e la vendin në bixhoz.

“Sektori i energjisë, jemi në drejtimin e duhur. Reformat nuk janë mjaltë por ilaçe të hidhura. Nuk mund të jetojë një vend, një familje duke marrë borxh të ardhmen e fëmijëve të tyre. Nuk mund të bëhet siç e bëri lala Gjoni deri në 2013, hani, pini, mos paguani drita e mos paguani ujë. Kjo nuk është ajo që bën një kujdestar normal. Shtëpia që morëm ne, ishte si një shtëpi që baba e kishte lënë peng në bixhoz. Iku baba se e kërkonin borxhlinjtë dhe borxhlinjtë në radhë. Borxhi sa një mal. Të gjithë ata që kanë ndërtuar një shtëpi e dinë se shtëpia do mund dhe kohë për tu ndërtuar”, tha ai.

Kryeministri pranoi se Shëndetësia ka probleme por puna që po bëhet po e kthen në drejtimin e duhur.

“Unë e di se spitalet kanë shumë probleme, por kush e ka harruar se kur erdhëm ne 18 muaj parë kronikat e Televizioneve ishin të mbushura me njerëz që ulërinin se nuk kishte ilaçe në spitale. Sot ne kemi filluar ta kthejmë Shërbimin Mjekësor në drejtimin e duhur.

Ne bëmë ca legalizime para ca kohësh këtu në Lezhë dhe njerëzit thonë faleminderit. Nuk është faleminderit për mua apo për ne. Vijnë shumë demokratë tek legalizimet, ju them: Ju mos ja dini për nder qeverisë dhe as mua, por atyre socialistëve, progresistëve që na dhanë votën. Vota ka një vlerë shumë të madhe. Ata që thonë nuk merrem me politikë e kanë gabim, sepse politika merret me ta. Viktor me shumë respekt për punën që ke bërë dhe shumë besim se do çosh përpara një projekt, i bindur se lezhjanët fisnikë dhe të mençur nuk do bëjnë më gabime të vjetra, sidomos në disa zona ku kanë votuar vazhdimisht ata që i kanë lënë në baltë”, tha ai.

Më herët para qindra lezhjanëve, ka folur edhe deputetja e LSI-së e qarkut të Lezhës, Monika Kryemadhi, e cila tha se fitorja e Tushajt në Lezhë është e sigurt.

“Shikoj çdo ditë vajza të reja dhe gra, në Lezhë ka qenë pak tabu, që janë prezente dhe që do të thotë se fitorja është e sigurt se po pate gratë dhe vajzat i ke të gjithë. Në dy mandatet e kaluara që Viktori pati me qeverinë e PD-së, ka bërë shumë sforco. Në pak kohë me këtë qeverisje kemi ndërmarrë shumë projekte.  Lezha që jeton mbi ujë, nuk kishte ujë dhe sot është kthyer në kantier dhe çdo zonë që nuk kishte ujë tashmë do ketë”, tha Kryemadhi.

Vetë Viktor Tushaj falënderoi kryeministrin Rama për besimin tek kandidatura e tij dhe tha se Lezha ka pasur investime që ja kanë ndërruar faqen qytetit.

“Falënderoj kryeministrin për instalimin e një besimi tek kandidatura ime. Qyteti i Lezhës ka pasur investime që ja kanë ndërruar faqen këtij qyteti. Është e vështirë ta transformosh qytetin në një kohë të shkurtër pa patur një mbështetje të fuqishme”, tha ai.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb