TIRANE- Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaroi sot se zjarri në pallatin në Fresk që i mori jetën nëna e re, Drilona Durici, nuk ka qenë për shkak të ndonjë shkëndije elektrike. Lajmi është konfirmuar nga burime pranë OSHEE për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’.

Nga këqyrja e vendngjarjes nga Inspektorati Qendror Teknik, institucioni përgjegjës që nxjerr konkluzionet mbi shkaqet e të tilla aksidenteve, rezulton se nuk ka patur asnjë shkëndijë elektrike.

Pas pretendimeve të banorëve se janë ankuar disa herë për ashensorin dhe se askush nuk është përgjigjur për ta mirëmbajtur, burime bënë me dije për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se ky lloj ashensori duhet të punojë vetëm në fabrika e miniera, por kurrsesi për pallate, duke thelluar kështu më shumë skandalin, që shkaktoi tragjedinë me një viktimë.

“Nga foto që shihni vërtetohet se kabinat e OSHEE nuk kanë patur asnjë problem, dhe janë stakuar nga ne si masë sigurie për banorët dhe zjarrfikësit. Nëse do kishte shkëndije elektrike, kabina jonë duhet te ishte e nxire nga flakët/ose plasja”, pohuan burimet. Ndërkohë, sipas OSHEE-së janë bërë të gjitha matjet deri në nivel kabine dhe rezulton që nuk ka patur luhatje tensioni.

Ngjarja
Zjarr i përmasave të mëdha ra dje paradite në zonën e Freskut, ndërsa rezultoi fatal për 29-vjeçaren Drilona Durici, e cila u nxor e karbonizuar nga ashensori i pallatit ku jetonte. Mësohet se e reja ishte e martuar dhe nënë e një fëmije të vogël, ndërsa bashkëshorti i saj jetonte në Gjermani. E reja ka qenë duke hyrë për në banesë kur ra zjarri, pasi kishte bërë pazar dhe në dorë kishte çantat me ushqime.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb