Nga Associated Press
Partia Socialiste e krahut të majtë në Shqipëri ka siguruar një mandat të dytë në zgjedhjet e përgjithshme, duke fituar shumicën e vendeve në parlament, tregojnë rezultatet. Zgjedhjet shihen si një pikë kyçe në përpjekjen e vendit për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se me më shumë se 95 për qind të votave të numëruara, socialistët e Kryeministrit Edi Rama kishin fituar rreth 48 për qind të votave ose 74 vende në parlamentin me 140 vende.

Qeveria e mëparshme ishte një koalicion i Socialistëve dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ose LSI, shpesh duke krijuar probleme për Ramën.

Partia Demokratike në opozitë e Lulzim Basha fitoi 29 për qind, ose 43 vende në parlament, ndërsa LSI rezulton e treta me 19 vende. Pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ra në 46.6 për qind, 7 pikë më pak se në vitin 2013. Vëzhguesit ndërkombëtarë të cilët monitoruan qendrat e votimit vlerësuan fushatën në përgjithësi të qetë dhe procesin e votimit, por gjithashtu vunë në dukje betejën e vazhdueshme politike e cila kishte ndikime negative në demokracinë e vendit. Ambasada e SHBA-së në Tiranë u shpreh se incidentet “nuk ishin aq të përhapura sa të ndryshonin rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve”.

Federica Mogherini, shefja e politikës së jashtme të BE-së, dhe Komisioneri për Zgejrimin Johannes Hahn i bënë thirrje kabinetit të ri qeveritar të vazhdojë procesin e reformave. “Vazhdimi i reformës në drejtësi dhe luftës kundër trafikut dhe kultivimit të drogës janë shumë të rëndësishme për qeverinë e re” thuhet në deklaratën e tyre. Socialistët në qeveri ranë dakord në muajin maj që t’i jepnin demokratëve të opozitës një rol më të madh në mbikqyrjen e zgjedhjeve për të qënë një proces sa më transparent. Dy partitë gjithashtu premtuan që të punojnë së bashku drejt anëtarësimit në BE. Edi Rama ka premtuar që kabineti i tij i ri do të punojë shumë në axhendën e reformave, e cila do ketë prioritet luftën kundër korrupsionit dhe trafikut të drogës, rritjen e shpjetë ekonomike, përmirësimin e pagave dhe uljen e papunësisë. Shqipëria me popullsi 2.9 milion, anëtare e NATO-s që në 2009, mori statusin si vend kandidat i BE-së në 2014.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: