Deputeti aktual i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, bëri përgjegjës të vetëm të ‘gjendjes katastrofike’ në të cilën gjendet PD-ja, kreun e saj Lulzim Basha.

I ftuar në emisionin “Të PaEkspozuarit” në News24 të gazetarit Ylli Rakipi, kritiku i ashpër i Bashës tha se janë të shumta ata demokratë në të gjithë Shqipërinë, dhe që sipas tij është shumica, që nuk e pranojnë këtë gjendje, shkruan BalkanWeb.

Astrit Patozi: Lëvizja jonë ka dy mesazhe, për demokratët se duke qenë kaq shumë e të bashkuar në këtë reagim, demokratët po tregojnë se nuk janë të izoluar, por janë kudo në Shqipëri dhe janë shumë dhe kemi bindjen se përfaqësojmë shumicën që nuk e pranon këtë gjëndje. Njerëzit nuk është e detyrueshme të jenë anëtarë për të kuptuar se çfarë po ndodh brenda PD-së. Ka disa sëmundje PD tani, që i ka dhe e gjithë politika shqiptare, por që në PD po kalojnë në ekstrem.

Ylli Rakipi: Basha ka bekimin e Berishës, dhe ky i fundit e ka krijuar të gjithë këtë skemë. Ai ka gatuar dhe këtë veprim të fundit që po shohim, ndërsa ju jeni i paqartë për veprimet e Berishës. Si mendohet një parti e re duke mos thënë se pas kësaj fshihet Berisha.

Astrit Patozi: Ky është opinioni juaj dhe i shumë njerëzve. Unë kam opinionin tim e mbroj qëndrimet e mia.

Ylli Rakipi: PD është trashëgimi e Berishës, është gati pronë e tij

Astrit Patozi: Nuk është kështu, nuk është pronë e askujt. Unë nuk kam ça diskutoj nëse mendoni kështu. PD ka pasur shumë probleme nën drejtimin e Berishës por kurrë në këtë gradë dhe për këtë jam dëshmitar okular. Jemi në situatë të rëndë për meritë personale të Bashës. Sa do thoni ju qëndron Berisha mbrapa, unë gjykoj mbi faktet e gjestet. Basha mori përsipër marrëveshjen me Ramën, listën e tij, fushatën, dhe këtë që po ndodh pas humbjes.

Ylli Rakipi: Mendimet e Jozefina Topallit?

Astrit Patozi: Unë me zonjën Topalli konvergojmë 4-cipërisht në mënyrën se si duhet të drejtohet Partia Demokratike. Kemi menduar njësoj se PD do reflektim e garë të drejtë. Nuk ndryshojmë në asnjë centimetër në këtë pikë

Ylli Rakipi: Topalli kërkon kthimin e Berishës në PD, ajo e krahason rikthimin me rikthimin e De Golit në Francë?

Astrit Patozi: Ky është mendim i saj, dhe s’kam arsye as të jem pro as kundër. Por nuk e mendoj kështu. Kam menduar që Berisha duke qenë patriark në PD, duhet të ndihmojë në nxjerrjen nga kriza.

 

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb