NGA: Arbër Sulo
Zinxhiri i hakmarrjes për vrasjen e Aleksandër Bardhit më 24 shtator 2016 në fshatin Shëndëlli të Sarandës, duket se nuk ka të sosur. Viktimë e radhës ka mbetur 50-vjeçari Vangjel Çiko, i njohur ndryshe me emrin “Gelo”. Ai u qëllua për vdekje mbrëmjen e së shtunës, teksa po parkonte mjetin e tij tip “Mercedes-Benz” në oborrin e banesës së tij. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:50 në lagjen “Baxho”, në rrugën “Eqerem Çabej”.

Burime pranë uniformave blu bënë me dije se viktimës i ishte zënë pritë, ndërsa ekzekutimi ndodhi në sy të vajzës së 50-vjeçarit. Kështu, atentatori, që sipas dëshmisë së vajzës së viktimës ishte fshehur pas një peme ulliri, qëlloi me 6 plumba kallashnikovi mbi 50- vjeçarin, njëri prej të cilëve e preku atë midis buzës së sipërme dhe hundës. Vajza e viktimës, e cila ka parë skenën e krimit nga porta e banesës, në gjendje të rënduar psikologjike tregoi për oficerët e policisë se autori i ngjarjes u largua me këmbë drejt një automjeti që e priste aty pranë. Por, mjeti nuk u ndez dhe për këtë ai u detyrua të largohej me vrap përmes një rrugice. Ndërkohë që personi që ishte duke pritur atentatorin për ta larguar nga vendi i ngjarjes arriti të ndezë mjetin vetëm pak çaste më tej dhe u largua me shpejtësi prej andej. Sapo dëgjoi të shtënat, në oborrin e banesës doli edhe bashkëshortja e Vangjel Çikos, e cila sapo mësoi për lajmin e kobshëm pësoi një tronditje të rëndë.

“Më kanë vrarë Gelon”, bërtiste ajo me të madhe, ndërsa përpiqej të lëvizte trupin e të shoqit nga makina. E njoftuar për ngjarjen, policia mbërriti menjëherë, por pa mundur t’i kapë autorin dhe bashkëpunëtorin e tij. Për të bërë të mundur këtë, uniformat blu të Sarandës si dhe FBSH ngritën postblloqe të shumta në akset kryesore të Sarandës dhe Ksamilit, por sërish nuk mundën të binin në gjurmën e agresorëve. Sakaq, viktima është një emër i njohur për policinë. Vangjel Çiko është dënuar në vitin 2007 me 7 vjet burg, pasi në shkurt të 2006-ës bashkë me një shokun e tij janë kapur në Konispol me 51 kg marijuanë.

Në atë kohë, policia mundi të arrestonte vetëm shokun e Çikos, ndërsa ky i fundit u kap në muajin maj të po atij viti. Kurse djali i tij, Dhimitër Çiko, rezulton i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda pasi në qershor 2014, është kapur në ujërat e Ksamilit, i veshur si palombar, në tentativë për të trafikuar me not drejt Korfuzit 4 kg marijuanë që i kishte lidhur në këmbë.
Lajmin e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/08/21/hakmarrja-ne-ksamil-vajza-e-gelos-pa-skenen-e-vrasjes-se-te-atit-autorit-nuk-iu-ndez-makina-dhe/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb