MAT – Vrasjen e 60-vjeçarit Hajredin Lleshi mbrëmjen e sotme në fshatin Rukaj të Matit e njoftoi tek uniformat blu djali i tij.

Sipas policisë, ishte pikërisht djali që nëpërmjet një telefonate në Komisariatin e Matit, ka bërë me dije se disa persona të panjohur me një automjet i kanë vrarë të atin.

“Në sallën operative të Komisariatit të Policisë Mat, ka telefonuar një djalë dhe ka thënë se në fshatin Rukaj, persona të pa njohur me një automjet, më kanë vrarë babain. Menjëherë janë nisur forca të shumta policie në drejtim të fshatit Rukaj, për verifikimin e telefonatës ku ka rezultuar se: Persona të panjohur duke përfituar edhe nga errësira, në oborr të banesës kanë vrarë me armë zjarri shtetasin H.Ll, rreth 60 vjeç” informon policia.

Një nga pistat në të cilat policia dyshon për vrasjen e Hajredin Lleshit është ajo e hakmarrjes që mund të ketë lidhje me vrasjen e të vëllait Xhavitit 4 vite më parë. Policia është vënë në kërkim të autorëve të cilët duke përfituar nga errësira arritën të largohen në kohë. Postblloqe të shumta janë vendosur edhe në Rrugën e Kombit.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: