Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Atentati në Sukth, zbardhja e ekzekutimit të Ervin Dalipajt dhe mikut të tij ‘peng’ i dy provave që mungojnë

vrasje-dalipaj

Hetimet për atentatin ndaj ish-shefit të Antikrimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, Ervin Dalipaj, ndeshin në vështirësi të mëdha.

Tri javë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë në zonën e Sukthit, ku mbeti i vrarë edhe shtetasi Juxhin Dautaj, krimi është ende pa autor. Duket se mundësia për zbardhjen e ngjarjes është “në fije të perit”, për shkak të mungesës së provave në dosjen penale të ngjarjes.

Pavarësisht përpjekjeve, grupi hetimor gjatë kësaj kohe nuk ka arritur të gjejë prova të reja, të cilat mund të identifikojnë autorët e krimit. Burimet e gazetës kanë thënë ditën e djeshme se Prokurorisë së Durrësit, e cila po kryhen hetimet për vrasjen e dyfishtë, i mungojnë disa të dhëna të rëndësishme, të cilat mund të hedhin dritë mbi vrasjen mafioze. Ndër këto të dhëna, mësohet se dy janë më kryesoret dhe është e habitshme mënyra se si ka ndodhur që provat në fjalë nuk janë në dosje.

Organi i akuzës bën me dije se nga vlerësimi i gjithë materialeve në fashikull ka rezultuar se ende nuk është administruar nga hetuesit materiali filmik nga kamerat e sigurisë së një servisi ku dy viktimat kanë qëndruar përpara se të qëlloheshin me armë në autostradë. Mendohet se kamerat e këtij subjekti kanë pasur fushëpamje nga rruga ku ka dyshime se ka lëvizur automjeti i autorëve të vrasjes.

Pikërisht bazuar në këtë fakt, Prokuroria i ka kërkuar pamjet në fjalë, por përgjigjja që ka marrë ka qenë se ato nuk punonin. Hetuesit kanë marrë kontakt me përfaqësuesin e këtij subjekti ditën e ngjarjes, por ai nuk ka qenë aty, madje rezulton se ka qenë në qytetin e Durrësit në shoqërinë e një prokurori.

Më pas, kur grupi i hetimit ka shkuar të kërkojë pamjet e kamerave, është mësuar se ato nuk punonin për shkak të një problemi teknik jo vetëm atë ditë, por prej disa kohësh.

DËSHMIA PËR MAKINËN
Burimet e Prokurorisë së Durrësit kanë thënë se hetuesit e çështjes nuk kanë pyetur ende pronarin e mjetit “Audi”, me të cilin udhëtonin dy viktimat që u qëlluan me armë në autostradë. Nga verifikimet, ka rezultuar se makina ishte në pronësi të shtetasit E.

Hoxhaj, i cili, sipas Policisë, nuk është gjetur deri tani për arsye se ndodhet jashtë vendit. Referuar të dhënave të sistemit TIMS, ky shtetas ndodhet në Gjermani dhe nuk ka ardhur ende në vendin tonë.

Prokurorët thonë se dëshmia e tij është e rëndësishme për hetimin, por burimet nuk kanë specifikuar të dhënat që Hoxhaj mund të dijë në lidhje me ngjarjen. Ish-zyrtari i lartë i policisë, Ervin Dalipaj, person në kërkim për rrëmbimin e vrasjen e Gazmend Çollakut dhe Juxhin Dautajt me precedent penal, u qëlluan për vdekje më 25 prill në Sukth të Durrësit.

Nga ana e Prokurorisë, po hetohen në disa pista, por më kryesorja është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve kriminale.

VRASJA
Dëshmitarët kanë parë 3 persona në vendin e ngjarjes, dy prej të cilëve kanë qëlluar me breshëri automatiku. Dalipaj dhe Dautaj kanë humbur jetën menjëherë, ndërsa automjeti humbi kontrollin dhe përfundoi nga rruga dytësore në autostradë.

Autorët, të cilët dyshohet se lëviznin me një automjet tip fuoristradë ngjyrë të zezë, janë larguar me shpejtësi, duke humbur gjurmët në drejtim të Maminasit. Policia gjatë kontrollit në automjetin “Audi” të viktimave gjeti një armë zjarri tip pistoletë model 54, 15 fishekë, disa aparate celulare dhe katër mijë euro. Arma i përkiste Ervin Dalipajt, i cili lëvizte i armatosur, ndërsa ishte në kërkim nga policia./PANORAMA/


Komente ( 1 )

KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.