NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit

600 – 800 gr miell
1 lç kripë
2 lgj vaj
1 lgj uthull
300 – 400 ml ujë i vakët
100 gr gjalpë
80 ml vaj
1.5 kg kos
10 thelpinj hudhër

Përgatitja
Fillimisht shkrijmë gjalpin dhe vajin në një tigan të thellë dhe e ftohim.

Vendosim miellin në një tas, shtojmë në të 1 lugë të vogël kripë, e përziejmë dhe më pas pasi të hapim një gropë në mes të miellit, shtojmë 2 lugë vaj, 1 lugë uthull dhe ujë të vakët. Përziejmë fillimisht miellin me ujin me një lugë druri dhe kur masa të trashet pudrosim tavolinën e punës me pak miell dhe derdhim brumin mbi të. Fillojmë ta punojmë brumin mirë me duar derisa të shohim që brumi nuk na ngjitet në duar. Provojmë ta presim brumin me thikë dhe ai nuk duhet të ngjitet në të. E mbulojmë brumin në një tas me pecetë dhe e lemë të pushojë për 40 minuta – 1 orë.

E ndajmë më pas brumin në 2 pjesë dhe secilën pjesë e ndajmë në kuleçë të vegjël. I hapim më pas kuleçët në madhësi me diametër 10-15 cm. Lyejmë secilën prej tyre me yndyrë duke i vendosur njëra mbi tjetrën (pra të gjithë kuleçët e pjesës së parë të brumit). Gjatë kohës që i vendosim kuleçët e hapur njëri mbi tjetrin i ngjeshim lehtë me duar duke zmadhuar rrezën e tyre. Pasi të vendosim njëra pas tjetrës 10 kuleçët i pudrosim me miell dhe i hapim në një petë të vetme.

Lyejmë tepsinë me yndyrë dhe vendosim petën. Të njëjtën procedurë vazhdojmë dhe me kuleçët e pjesës tjetër të brumit duke i hapur në një petë të vetme të cilën e vendosim dhe atë në tepsi. Rregullojmë anët, presim më pas byrekun në copa, e lyejmë me pak yndyrë dhe e vendosim në furrë të piqet në temperaturën 200 gradë Celsius për 30-35 minuta.

Ndërkohë shtypim hudhrat, i shtojmë në kos së bashku me pak kripë dhe i përziejmë mirë. Sapo byreku të piqet e nxjerrim nga furra dhe mbulojmë komplet sipërfaqen me kosin me hudhra. E vendosim përsëri në furrë për 10 minuta dhe më pas e shërbejmë.
(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: