Doli nga shtypi libri i ri i diplomatit, studiuesit dhe analistit të mirënjohur diplomatik, Shaban Murati, “Ballkani Faustian”, botim i Fondacionit Kulturor “Alsar”. Është një vështrim i thellë analitik për zhvillimet më të rëndësishme politike dhe diplomatike të rajonit tonë gjatë dhjetë viteve të fundit, nga një prej ekspertëve më të mirë shqiptarë të Ballkanit, të diplomacisë dhe të çështjeve ndërkombëtare.
Autori ka përqendruar analizat e tij në çështjet më të rëndësishme, më tipike dhe më interesante në vendet e rajonit dhe në krejt rajonin. Është hera e parë që në një botim antologjik deshifrohen zhvillimet e reja rajonale në një interpretim dhe në një këndvështrim diplomatik. Kemi një optikë shqiptare, një mendim diplomatik shqiptar të zbërthimit të ngjarjeve, prapaskenave, prirjeve, personaliteteve, marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajon dhe kjo e bën librin tepër interesant për lexuesit shqiptarë në të gjitha trevat. Kjo optikë shqiptare zhbiron në ngjarjet rajonale në kohën kur ato janë në zhvillim e sipër dhe jo kur ato janë bërë histori. Analiza dhe interpretimi i zhvillimeve në lëvizje është gjinia dhe modeli më i vështirë i kërkimit dhe kjo i jep librit peshën dhe vlerën e një manuali tepër të dobishëm diplomatik.
Në të gjitha analizat e tij për zhvillimet në vende të veçanta apo në raportet e vendeve të Ballkanit me njëri-tjetrin apo me fuqi jashtë Ballkanit, autori është nisur gjithmonë nga këndvështrimi i efekteve që kanë apo mund të kenë këto zhvillime për interesat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Ndaj dhe në libër dominojnë analizat për marrëdhëniet aktuale të Shqipërisë me Serbinë dhe me Greqinë, dy fqinjët problematikë të historisë dhe të interesave jetike shqiptare. Në këtë linjë tematike autori analizon me çështjet, tezat dhe tensionet më të reja në raportet shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-greke, siç janë ato për formulën franko-gjermane si model për Shqipërinë dhe Serbinë, për pajtimin midis shqiptarëve dhe serbëve, përplasjet e interesave dhe rivalitetet midis dy shteteve në ditët e sotme, etj. E njëjta hapësirë u jepet raporteve me Greqinë, ku trajtohen problemet dhe përplasjet e reja me qeverinë e Aleks Ciprasit, etj. Spektri i tematikës së gjerë të librit përfshin zhvillimet e brendshme në Serbi, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë, etj., ashtu dhe marrëdhëniet dypalëshe të shteteve ballkanike me njëra-tjetrën, etj. Në analizën e problemeve të brendshme të shteteve ballkanike, autori zgjedh ato me karakter përgjithësues, që hasen jo vetëm në shtetin përkatës, por në krejt rajoin siç
është korrupsioni, çështja e spiunëve të Sigurimit, çështja e pronave, etj. Në libër janë të analizuara
edhe raportet dhe taktikat aktuale politikës së fuqive të mëdha si Rusia dhe Kina në Ballkan. Tematika diplomatike është krejtësisht të re dhe e parrahur në literaturën politike e diplomatike të Shqipërisë. Libri “Ballkani Faustian” në 100 analizat e tij diplomatike synon të zbërthejë enigmën e prapambetjes shtetërore ballkanike dhe të zvarritjes së integrimit europian dhe perëndimor të Ballkanit. Fryt i një përvoje unike dhe të gjatë prej disa dekadash në fushën e politikës së jashtme dhe të diplomacisë, libri ka vlerë të veçantë, sidomos për rekomandimet e mprehta dhe mësimet e qarta, që nxjerr nga zhvillimet në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe të rajonit.
Janë mësime, të cilat marrin vlera udhërrëfyese për diplomacinë tonë, për institucionet dhe shtetin
shqiptar, në planetin e komplikuar ballkanik. Libri përbën një kontribut të ri të diplomatit dhe studiuesit Shaban Murati në mendimin diplomatik shqiptar. (Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb