Nga: MIKI TRAJKOVSKI*
Ekspertët thanë se vendet e Ballkanit po konsiderojnë krijimin e një qendre rajonale antiterrorizmi për t’u marrë më efektivisht. me kërcënimet antiterroriste dalë nga rekrutimi dhe radikalizimi i luftëtarëve xhihadistë, që udhëtojnë për të luftuar në Irak, Siri dhe pika të tjera të nxehta.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov propozoi krijimin e një qendre të tillë gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së muajin e shkuar.
Ivanov tha se një qendër është e nevojshme për të bashkërenduar inteligjencën mbi grupet terroriste: rrjetet e tyre, vendosjet, kapacitetet dhe qëllimet, dhe për të bashkërenduar punën e policive dhe shërbimeve të sigurisë.
“Është e nevojshme që ne të forcojmë institucionet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke financuar programet e deradikalizimit dhe kundërradikalizimit, në mënyrë që të mund të ofrojmë në kohë parandalimin dhe të zhvillojmë kundërmasat. Numri i luftëtarëve rritet gjithë kohën dhe ne nuk mund t’i llogarisim më ata”, – tha Ivanov.
Ekspertët thanë se qendra do të ofrojë bashkëpunim më të madh me shërbimet e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë dhe do të përdoret për trajnimin në analizat dhe taktikat.
“Ideja është e mirëpritur, pasi është një rritje në bashkëpunim”, – tha Kristina Joziç, zëdhënëse për Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) të Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH). “Nisma është krejtësisht realiste dhe në përputhje me situatën aktuale të sigurisë dhe politikën globale për të luftuar terrorizmin”, – i tha Joziç “SETimes”.
Ajo tha se nevoja për bashkëpunimin është e tillë si në të kaluarën, kur SIPA lëshoi propozime të ngjashme për të formuar një qendër rajonale antiterroriste.
“Një qendër do ta bëjë më të lehtë të krijojë të dhëna të sakta, lehtësisht të disponueshme të grupeve dhe individëve të dyshuar”, – tha Tome Batkoski, një profesor në Fakultetin e Sigurisë të Shkupit.
“Qendra do të mbikëqyrë plotësisht dhe do të analizojë rreziqet e terrorizmit islamik si dhe të bashkërendojë aktivitetet antiterroriste të shërbimeve të sigurisë-inteligjencës. Kjo do të arrinte efektshmëri më të madhe dhe do të shpejtonte shtypjen e terrorizmit”, – i tha Batkoski “SETimes”.
Batkoski tha se mbrojtja më e madhe nga terrorizmi do të kontribuojë në stabilizimin e situatës në Irak dhe Siri, sepse kjo do të ndalë nisjen e organizuar të grupeve dhe individëve që kërkojnë t’i bashkohen Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL).
Ideja e formimit të një qendre rajonale për të luftuar terrorizmin ka qenë diskutuar në Serbi në nivelin më të lartë të qeverisë dhe analistët përsëritën nevojën për një bashkëpunim më të madh sigurie.
“Duke shkëmbyer inteligjencën me vendet e tjera, ne mund të fitojmë informacion lidhur me atë se ku lëvizin terroristët, çfarë bëjnë dhe cilat janë planet e tyre”, – i tha “SETimes” Aleksandar Radiç, një analist i pavarur ushtarak në Beograd.
Zyrtarët e Serbisë operojnë një qendër në Batajnica pranë Beogradit për njësinë e saj të posaçme të antiterrorizmit që përdoret për trajnimin.
Serbia ka ende për t’iu përgjigjur zyrtarisht propozimit të Ivanovit, por kryeministri Aleksandar Vuçiç i ka dërguar një letër presidentit të SHBA, Barak Obama, duke përsëritur vendosmërinë e vendit për të kontribuar në luftë kundër terrorizmit.
“Qeveria e Serbisë është gati me burimet e veta të kufizuara në dispozicion për të ndihmuar luftimin e ISIL”, – thoshte Vuçiç.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: