TIRANE- Ish-presidenti Bamir Topi, aktualisht kreu i Frymës së Re Demokratike ka komentuar sot situatën politike në vend, ndërsa nuk kurseu kritikat për palët politike.

Në 5-vjetorin e themelimit të FRD-së, Topi theksoi se sot shteti është në ditën e tij më të zezë. Ai theksoi ndër të tjera se ndryshimet kushtetuese të 2008-ës janë reflektuar në 2017-ën, ndërsa janë pranuar si gabim nga opozita e sotme. Ndër të tjera Topi sulmoi dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, duke shtuar se ‘çorba që ai bëri në 2008-ën, po e ha sot Basha me garuzhde’.

“Kam një koment për situatën politike dhe dialogun, që e kemi paralajmëruar që do të vijë deri këtu. E kemi paralajmëruar që në vitin 2008. Sot çudia më e madhe nga kampi i opozitës, deklarohet se kanë bërë gabim me ndryshimet kushtetuese të 2008. Kampi tjetër e ka pranuar pak vite më parë, por të dyja palët e kanë pranuar me hallin që kanë pasur. Rama e ka pranuar në momentin kur nuk arriti të marrë atë që kërkonte në 2009. Sot Zoti Basha e pranon që atë që gatoi shefi i tij, atë çorbë të madhe, që e detyron pasardhësin që ta hajë me garuzhde (Bashën). Ky është tipari i njerëzve karagjozllëk, që e quajnë veten politikanë, kur nuk janë burra shteti”, tha Topi.

Ndër të tjera Topi pohoi se sot kemi një situatë politike të destabilizuar, kemi parlamentin më të keq të tranzicionit shqiptar.

“Fryma e Re Demokratike vjen nga një terren që askush nuk ishte në pozicione zyrtare. Unë i jam bashkuar atij pozicioni që pas shtatorit. Dua të falënderoj pa masë të gjithë eksponentët. Të thuash sot që FRD është një forcë e moderuar, nuk është ndonjë gjë e vogël në Shqipëri, pasi në gjithë harkun kohor, kam parë metamorfoza të çuditshme të partive politike Të lidershpit. Dhe çudia më e madhe në më të shumtën e rasteve, hynin si njerëz të thjesht që kishin të njëjtat halle si ata, por me kalimin e kohës shteti i bëri që të dashurohen me diktaturën dhe ta luftojnë atë me retorikë. Sot pas kaq vitesh, në 2017 e kemi një konfirmim të asaj që është thënë gjithmonë, të Katovicës së Shqipërisë, pasi kemi një situatë politike të destabilizuar, kemi parlamentin më të keq të tranzicionit shqiptar, kemi një dialog politik inekzistent. Situata në Shqipëri vjen dhe dramatizohet dhe metamorfoza kthehet në satirë. Duke përmbyllur atë dramë që ne e përjetojmë të gjithë. FRD pa asnjë lloj dyshimi, është një forcë e qendrës së djathë, por është një forcë politike që nuk ka interesa pushteti”, pohoi ai.

Po ashtu, Topi nuk harroi pa uruar për postin e Presidentit dhe Ilir Metën. “Presidentit të ri i uroj sukses, pasi është institucioni i Shqipërisë. Nuk futem në komente se si u zgjedh, më intereson rëndësia e institucionit”, tha ish-presidenti.

vijon…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb