TIRANE– Bamir Topi, kreu i Partisë Fryma e Re Demokratike, nuk ka vendosur emrin e tij në listën e kandidatëve për deputet të kësaj force politike, për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Në emisionin “Studio e hapur” me gazetaren Eni Vasili në studion e “News24”, Topi tha se FRD është një forcë politike që ka një frymë të ndryshme nga partitë e tjera.

Sipas tij, FRD nuk përpiqet që t’i japë pushtet kryetarit të saj, siç bëjnë partitë e tjera.

“FRD është një forcë politike që ka programin e saj për këto zgjedhje. Madje ne kemi një program të qëndrueshëm. Unë nuk e kam vendosur emrin tim në listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 25 qershori. Kjo tregon se ne jemi ndryshe nga partitë e tjera. Por kapiteni është në timon, unë do të jem në fushatë. Mosprania e emrit tim në lista nuk e penalizon aspak FRD-në. Ne duam të tregojmë se një parti politike nuk mendon vetëm për pushtetin e kryetarit të saj. Ndaj them unë jam misionar në politike”, u shpreh Bamir Topi.

Ai tha se FRD synon të rritë numrin e mbështetësve të saj në vend.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: