TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka lënë i pari mjediset e Pallatit të Kongreseve, pasi është takuar me zyrtarin e PPE, David McAllistster. Me takimin që ka zgjatur 35 minuta, Basha ka përmbyllur fazën e dytë të bisedimeve.

Sakaq, në ambientet e Pallatit të Kongreseve ka vijuar edhe për disa minuta më shumë takimi i kreut të PS, Edi Rama dhe kreut të LSI, Ilir Meta, me eurodeputetin Knut Fleckenstein. Në këtë takim merrnin pjesë edhe dy ambasadorët e SHBA dhe BE në vendin tonë, Donald Lu, dhe Romana Vlahutin.

Pasi ka dalë nga takimi, kreu i PD-së Lulzim Basha ka bërë një komunikim të shkurtër me gazetarët, ku ka theksuar se nuk kanë filluar negociatat, por takimet zhvillohen në kuadër të bisedimeve.

Basha tha ndërkaq, se bisedimet vazhdojnë, duke u shprehur se pjesë e këtyre takimeve nuk kanë qenë teknicienët, për teknikalitet e propozuara për zgjedhjet.

Sakaq, nga Partia Demokratike theksojnë se opozita është e vendosur në kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: