TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta, se i janë sulur pasurisë së vendit, duke mos u shqetësuar për protestat e qytetarëve. Në një deklaratë për mediat pas takimit Rama-Meta të zhvilluar ditën e sotme, Basha tha se qeveria shqiptare ka humbur kontaktet me realitetin. Ndërsa tha se Rama e Meta shqetësohen vetëm për “karriget e tyre”, Basha renditi disa nga problematikat kryesore me të cilat përballen sot sipas tij shqiptarët.

Nisur nga numri i lartë i të larguarve nga puna padrejtësisht, dhe i azilkërkuesve shqiptarë drejt vendeve të BE-së, Basha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protesta për të rrëzuar qeverinë.

“Së pari dua t’ju them se protestën e tregtarëve në Tiranë, sikundër në Fier, Korçë dhe Shkodër, Partia Demokratike e ka mbështetur dhe e mbështet me të gjitha format dhe mënyrat që një parti politike mund ta bëjë këtë. E mbështes sepse është një protestë e drejtë e njerëzve që po detyrohen për bukën e gojës së fëmijëve të tyre, t’i kthehen mjetit të fundit demokratik që është protesta, ngritja e zërit për të drejtën e tyre.

Problemi është që Edi Rama dhe Ilir Meta nuk e shohin protestën, nuk kanë parë sot, se gjithë këto ditë kanë bërë ecejaket sa nga zyra e tyre te zyra e Mehmet Shehut, se kanë të tjera shqetësime. 73 mijë sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve kanë humbur vendet e punës vetëm muajt shtator –tetor. 73 mijë shqiptarë, 73 mijë familje kanë humbur, të punësuar, me shumë gjasa të vetëpunësuar bukën e gojës për shkak të gjobave, për shkak të taksave të rritura, për shkak të korrupsionit, për shkak të arbitraritetit të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Këto nuk i shohin sepse ndërkohë që ndodhin këto, ndërkohë që 73 mijë që kanë humbur vendet e punës në atë orë, në këto orë me siguri të tjerë kanë humbur vendet e punës. Këta kanë një preokupim të ruajnë vendet e tyre të punës, të ruajnë garnizonet e hajdutëve të Edi Ramës dhe Ilir Metës që i janë vërsulur pasurive publike. Të ruajnë Damianët, Gjiknurët, Haxhinastot, Tahirët, Beqët, Kodhelët, Kokëdhimët. Ky është shqetësimi kryesor i Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Kjo është pra një qeveri që ka humbur çdo lidhje me realitetin. Kjo qeveri është arsyeja që në vetëm dy muaj kemi 73 mijë të papunë sepse në vetëm në një vit kemi 100 mijë azilkërkues në Europë, 200 mijë aplikime për Llotarinë Amerikane, i bie 600 mijë shqiptarë, po ti marrim nga tre veta për familje.
Në vend që të reflektojnë, në vend që të marrin përgjegjësitë, në vend që të kuptojnë që janë ata me politikën e tyre, me korrupsionin e tyre, me rritjen e taksave, me gjobat, me hajdutërinë, shkaktarët e kësaj gjendjeje, ka një dhe vetëm një preokupim: Si t’i mbyllin gojën qytetarëve, si t’i mbyllin gojën opozitës, si t’i mbyllin gojën mediave. Kësaj nuk ka për t’ia arritur kurrë, as kokoshi poturembushur dhe as ortaku i tij krenar dhe i qetë me pazarin e rinovuar.

Pazaret, sikundër opozita, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk do të tërhiqen nga kërkesat e qytetarëve shqiptarë të bëhemi gati dhe të rrëzojmë me gjithë mjetet e ligjshme demokratike qeverinë e kusarëve Rama-Meta. ”, tha Basha.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb