TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ironizon aksionin që pritet të nisë qeveria kundër kanabisit.

Sipas tij, Rama nuk do kapë as Klement Balilin dhe as vëllanë e Fatmir Xhafës, që Basha i quan kokat e trafikut të drogës. Basha shtoi gjithashtu se njeriu që e ktheu Shqipërinë në plantacion droge është ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

STATUSI I PLOTE
Me seriozitetin tragjiko-komik që e ka pushtuar, Edi Rama shpalli sot para botës një tjetër betejë historike: luftën heroike kundër kanabisit dhe grupeve kriminale të lidhura me drogën. Por, tashmë, dihet se herozimi i vetëm i Ramës është të arrestojë keqbërësit e vegjël, ata që nuk janë aq të mëdhenj sa të kenë lidhje me pushtetin.

Koka e kthimit të Shqipërisë në plantacion kanabisi është Sajmir Tahiri, aq sa edhe partnerët e huaj i vunë ultimatumin Ramës për largimin e tij, si kurrë ndonjëhere. Por ata që presin që aksioni i Ramës të prekë Tahirin do të zhgënjehen. Trafikanti ndoshta më i madh i drogës në Shqipëri është Klement Balili, të cilin e Edi Rama e la të lirë edhe pse e kërkonte qeveria e SHBA-ve, sepse po të fliste Balili rrëzohej gjysma e ministrave. Prandaj, ata që presin që me aksionin e tij Rama të arrestojë Balilin do të zhgënjehen. Një nga trafikantët më të kërkuar të drogës në Evropë është vëllai i Fatmir Xhafës, por ata që presin që aksioni i Ramës ta arrestojë atë do të zhgënjehen, gjithashtu.

Aksioni i Edi Ramës do të arrestojë ca fshatarë të varfër dhe ca kriminelë të vegjël. Kriminelët e vërtetë do të qeverisin vendin së bashku me Ramën. Derisa populli t’i largojë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: