TIRANE– Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ritheksuar qëndrimin e shprehur gjatë protestës, se “Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë”. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha thotë se opozita është e palëkundur në qendresën e saj.

Basha thotë se Edi Rama dhe udhëheqësit e lartë të PS-së, sipas tij “të gjithë funksionarë ose pinjollë të ish-elitës komuniste”, duhet ta kuptojnë se sovraniteti i qytetarëve është mbi pushtetin e tyre.

“Edi Rama dhe udhëheqësit e lartë të PS-së, pothuajse të gjithë funksionarë ose pinjollë të ish-elitës komuniste, ngatërrojnë dëshirat e tyre me vullnetin e popullit dhe identifikojnë karriken e tyre me demokracinë. Ata e kanë të vështirë të kuptojnë pluralizmin, të kuptojnë sovranitetin e qytetarëve mbi pushtetin e tyre.

Trimat dhe trimëreshat socialiste, shërbëtorë të krimit por që ndihen padronë të popullit, duhet të kuptojnë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, se qeverisje të dalë nga zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë.

Ne nuk kemi asnjë ngut dhe nuk kemi asnjë mëdyshje. Ne jemi të qetë, por të palëkundur në qendresën tonë. Zgjedhje të ndikuara apo kontrolluara nga krimi nuk do të ketë. Zgjedhje me shërbëtorë të krimit në qeverisje nuk do të ketë. Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Situata është e qartë dhe e thjeshtë: ne jemi me popullin, ata janë me krimin. Vetëm njerëzit me gjendje jo të kthjellët psiqike nuk e kuptojnë dot se cili do të jetë rezultati i kësaj përballjeje.
#NgrihemiBashke #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: