TIRANE– Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar protestën që zhvilloi opozita gjatë ditës së sotme, ku u bllokua për 1 ore trafiku në 5 akse kryesore të vendit, si dhe takimin që zhvilloi në selinë e PD me ambasadorin amerikan, Donald Lu. Duke folur nga çadra e protestës para godinës së kryeministrisë, Lulëzim Basha tha se opozita do t’i shkojë deri në fund kauzës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa u shpreh se opozitës nuk i mungon vullneti për ta zgjidhur me dialog krizën.

“Ka qënë një ditë e gjatë, e lodhshme por absolutisht e suksesshme për opozitën, për qytetarët shqiptarë dhe e lavdishme për këtë lëvizje të pamposhur popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dua tiu falenderoj nga zemra ju dhe mijëra qytetarë të tjerë që morën pjesë aktivisht në aksionin popullor të paralajmërimit dhe, provën e vendosmërisë tonë për ti shkuar deri në fund kauzës së drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qindra mijëra të tjerë vranë frikën dhe me zemrat e tyre u bashkuan me ne. E gjithë Shqipëria, të majtë e të djathtë u bashkuan me betejën e drejtë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Koha po vjen. Ta kurorëzojmë këtë lëvizje me fitoren që gjithë shqiptarët presin. Nuk na mungon aspak vullneti dhe vendosmëria për ta zgjidhur krizën e thellë politike përmes një dialogu me kundërshtarët tanë politikë. Dialog që ka vetëm një temë; qeverinë teknike dhe mandatin e kësaj qeverie për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por edhe nëse ky vullnet mungon nga ana tjetër, sot kanë vetëm provën e parë, vetëm paralajmërimin e parë. Se, në këtë vend, zgjedhje pa opozitën nuk ka për të patur kurrë. Votime të diktuara nga krimi, droga dhe qeveria e kapur prej tyre nuk do të lejojmë. Kjo është kategorike dhe e pandryshueshme. Ndaj, le të marrim me vete sonte forcën dhe besimin e rigjetur të një populli të tërë për të qendruar përballë një pakice kriminale oligarkësh, kriminelësh dhe pushtetarësh të korruptuar, forcë ​e cila buron nga tavani i drejtë i kërkesave dhe i kauzës popullore. Duke qendruar mbi këtë tavan, duke qendruar fuqimisht pas asnjë tërheqje nga kjo kauzë e drejtë popullore me forca të shumëfishuara, marshojmë të sigurtë drejt Republikës së Re, republikës së çdo qytetari shqiptar. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët”- tha Basha.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb