TIRANE– Mitingu i djeshëm i Partisë Demokratike për çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, duket se nuk ka shkuar siç duhet. Kjo për faktin se 76 persona kanë shfaqur shenja të djegies dhe skuqjes së syve, nga shkaqe që ende nuk janë zbuluar plotësisht.

Mes personave që kanë shfaqur këto komplikacione është edhe vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Burime për “News24” thonë se lideri i opozitës është paraqitur mbrëmë në spital dhe ka qëndruar për disa orë aty, duke marrë trajtimin mjekësor.

Mëngjesin e sotëm, Basha është kthyer në shtëpi, me qetësimin e simptomave.

Sakaq, mësohet se për shkak të kësaj situate, Basha nuk do të jetë i pranishëm në disa takime të PD të planifikuara për paraditen e sotme në disa qytete të vendit si Divjakë, Lushnje e Roskovec.

Takimet me qytetarët do të zhvillohen pa praninë e kryetarit Basha.

Në to marrin pjesë dy nga drejtuesit më të lartë të PD-së, nënkryetari i partisë dhe kreu i grupit të saj parlamentar, Edi Paloka, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: