TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur grupin parlamentar për organizimin e protestës që pritet të nisë për pak minuta.
Kryetari Basha do të japë udhëzimet e fundit për koordimin e protestës që bëhet pak para nisjes së seancës për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm.
Ndërkohë në ambjentet e jashtme të godinës së parlamentetit, qytetarë të shumtë nga i gjithë vendi janë mbledhur për t’iu bashkuar protestës opozitare.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, mungon ish-kryeministri Sali Berisha. Pjesa e jashtme e parlamentit është rrethuar nga forca të shumta policore.
Ditën e djeshme pas takimit me aleatët e tij, kryeopozitari Lulzim Basha ka bërë një paralajmërim të fortë për rivalin e tij politik, Edi Rama.
“Nesër Edi Rama ka dy qëllime. Duke dhunuar Kushtetutën të emërojë një prokuror politik. Duke emëruar një prokuror politik, të pengojë, të ngadalësojë apo të asgjësoje dosjet e krimit dhe korrupsionit që lidhin bashkëpunëtorët e tij të ngushtë me krimin dhe me atë vetë. Në këto kushte, shqiptarët kanë të vetme zgjedhje, që mund të ketë çdo popull i civilizuar kur Kushtetuta, pakti që ndaj të mirën nga e keqja, politikën demokratike nga diktatura, dhunohet dhe shkelet, dhe kjo është të bashkohemi për të treguar që ky vend ka institucionin e opozitës në këmbë, ka qytetarët e lirë në këmbë për të mbrojtur liritë themelore. Nëse nesër, Edi Rama tenton të çojë deri në fund puçin e tij kushtetues, duhet ta dijë se kostoja e përballjes do të jetë e madhe në kuptimin e goditjes që do t’i japë bashkëjetesës demokratike, stabilitetit në vend, dhe se shqiptarët si çdo komb tjetër i civilizuar nuk mund dhe nuk do ta pranojnë as dhunimin e Kushtetutës, as kapjen politike të drejtësisë, as asgjësimin e Refomës në Drejtësi për të cilën kemi investuar kaq shumë dhe që shqiptarët mezi e presin për interesat e tyre si qytetarë por edhe për interesin madhor kombëtar të pastrimit të politikës nga krimi, pa të cilën nuk do të ketë as hapje negociatash, as Shqipëri europiane,” u shpreh Basha dje.
(e.f/BalkanWeb)