TIRANE- Anëtarësia e Partisë Demokratike i besoi Lulzim Bashës një tjetër mandat katër vjeçar dhe me sa duket ai do ta shfrytëzojë më së miri për të nisur aksionin opozitar.

Gazetarja Elda Menga konfirmon për BalkanWeb se kryeopozitari do të zhvillojë tre mbledhje të rëndësishme sot dhe nesër ku do të përcaktohen edhe qëndrimet e reja të PD.

Kështu është parashikuar që sot në orën 12:00 ai të takohet në selinë e PD me këshilltarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, një ditë para mbledhjes së Këshillit, ku pritet të vendoset për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Ndërsa PD-ja e ka kundërshtuar me deklarata, pritet që kjo mbledhje me kryetarin të qartësojë dhe pozicionin që do mbajnë këshilltarët e djathtë nesër.

Ndërkohë që nesër Lulzim Basha do të zhvillojë të parën mbledhje me deputetët e rinj që dolën nga zgjedhjet e 25 qershorit. Burime nga PD-ja, bëjnë me dije për BalkanWeb se takimi do zhvillohet paraditen e nesërme në orën 11:00. Pritet që në këtë mbledhje të parë të grupit parlamentar të PD-së, Basha të japë porositë për aksionin opozitar dhe përballjen me shumicën që sipas tij, nuk është legjitime, zgjedhjet u blenë nga droga e krimi.

Po nesër, në orën 13:00 kryedemokrati Basha do takojë edhe krerët e degëve në rrethe.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb