DIBER – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i pranishëm sot në qytetin e Dibrës për fushatën elektorale, akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama se ka rrënuar vendin.

Sipas Bashës, në këto 4 vite, Rama nuk ka bërë gjë tjetër veçse të flasë për veten e të dalë në televizor. “Ngeli duke thënë unë, unë, unë. Del gjithandej, kemi frikë të hapim frigoriferin se edhe aty na del,” tha Basha.

Kryedemokrati tha se Rama nuk mbajti asnjë premtim dhe kriminalizoi administratën.

“Plani im ekonomik lindi nga nevojat tuaja, gërshetuar me potencialet e vendit dhe finalizuar me ekspertizën e njohësve më të mirë të ekonomisë në Europë, ekipi i Merkel. Sa herë na e ka premtuar rrugën e Arbrit Rama? Ky është Edi Rama, njeriu që premtoi, por s’i mbajti kurrë. I mbani mend ato 300 mijë vendet e punës. Nuk gjeti dot as tre shqiptarë t’i vendosë në fletushkën e fushatës. Janë tre manekinë të huaj, që i bleu në internet. I ka blerë 1 dollar fotoja. 4 vite duket thënë vetëm : Unë, unë, unë. Edi Rama kudo, hap televizorin, hap internetin. Siç tha dhe Kim Mehmeti, kishim frikë të hapim dhe frigoriferin se dhe aty na del Edi Rama. Kush i solli kriminelët në pushtet? Ky kriminalizoi administratën, dhe tani fajin ua hedh të tjerëve. Ai e ka kuptuar se ndëshkimi i popullit me votë po vjen. Këtë të dielë do bashkohemi me fitoren,” tha Basha.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: