DURRËS- Kreu i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar nga Durrësi se anulimi i kamatëvonesave të energjisë do jetë një ndër aktet e tij të para si kryeministër. Ai tha se Rama e Meta janë përgjegjës për gjendjen e vendit dhe duhen ndëshkuar me votë.

“Po ndaj një lajm të mirë anembanë vendit: njerëzit bashkohen me ne pa autobusë e pa urdhra sepse e dinë që diçka e madhe po vjen në 25 qershor. Shëndetësia është në gjendje mesjetare. 4 vite kanë qenë në garë ashtu si edhe sot për pushtetin dhe xhepat e tyre. Tani flasin të dy si opozitarë. Të dy bashkë janë përgjegjës dhe të dy duhen ndëshkuar me votë. Ne nuk do bëjmë pazar as me shpk as me tezgat qe e kthyen Shqipërinë në tepsi. Rama shkatërroi ekonominë duke harxhuar miliarda për palma për luks. Për të mbushur gropën e CEZ-it i rriti faturat shqiptarëve. Anulimi i kamatëvonesave do jetë ndër aktet e mia të para si kryeministër”, deklaroi Basha.

Duke sulmuar dy bashkëaleatët e koalicionit qeverisës deri më tani, Basha tha se ata nuk mbajtën asnjë premtim dhe tani mashtrojnë.

“Brezi i ri bashkë me mua do marrë përgjegjësitë e qeverisjes. Rama dhe Meta nuk mbajtën asnjë premtim dhe tani vijnë me premtime mashtrime të reja. Rama ka frikë të vijë në debat sepse s’ka çfarë të thotë. Në datë 25 qershor do hapim një derë të re mundësish të paparë për Shqipërinë”, tha Basha.
Ai deklaroi se “programi im është program që do e nxjerrë ekonominë nga kriza ashtu siç e kam parë në vendet e tjera”.

“Ulja e taksave, stazhe për të rinjtë, mbështetja për biznesin e vogël, subvencione. As nuk e kopjova unë Trumpin as Trumpi mua. Ky është modeli si funksion ekonomia. Shqipëria do ketë një nga TVSH më të ulëta në botë. Anulimi i taksës Rama për karburantin që e ka rritur me 240 lekë. Ju jap fjalën që me rishikimin e buxhetit që javën time të parë si kryeministër i Republikës së Re do e heq taksën dhe brenda një viti nafta shqiptare do jetë më e lira në rajon. 10 mijë stazhe pune të paguara për të rinjtë për 1 vit. Plani im ka zgjidhje konkrete që funksionojnë të gjitha bashkë. Presidenti Trump ka qenë i suksesshëm si biznesmen dhe e di mirë se çfarë funksionon për ekonominë. Taksat e ulëta, subvencione, mbështetje për rininë janë plani i Trumpit, i Merkelit. Femijët shqiptare në Republikën e Re do e kenë drekën e paguar nga shteti. 250 mije lekë pensioni minimal në krye të 4 viteve dhe rritja fillon që këtë vit. Do jem kryeministër i njerëzve të thjeshtë, i ekonomisë tuaj”, premtoi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: