TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha ditën e sotme në çadrën e protestës se PD dhe opozita janë të gatshme t’i hapin rrugë zbatimit të Vetting-ut.

Kryeopozitari u shpreh në ditën e 63 të protestës se nuk është nevoja të shtyhet votimi i Vettingut pas zgjedhjeve të 18 qershorit.

“Lëvizja dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme feston çdo ditë shpresën që po ringjallet jo vetëm këtu në çadër po në mbarë Shqipërinë falë kësaj lëvizje 63-ditore. Kjo, sikundër idea e Republikës së Re nuk janë merita e askujt tjetër përveç se e juaja. Republika e Re do jetë një shtëpi e madhe xhami për sa i përket transparencës, e çeliktë përsa i përket zbatimit të ligjit. Ky është modeli i demokracive perëndimore. Në këtë model, qytetarët zgjedhin me votë të lirë. Edi Rama bashkë me të paguarit e George Soros u përpoqën të kapin drejtësinë. Ka 0 shanse që PD të bëhet alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama. Nuk ka nevojë të shtyjmë Vettingun pas zgjedhjeve. PD dhe opozita janë të gatshme të marrin përgjegjësinë pa pritur zgjedhjet të hapin rrugën zbatimit të Reformës në Drejtësi. Do nisim luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të pushtetarëve e drogës, që sot vazhdojnë të bëjnë kërdinë në xhepat e shqiptarëve. Kjo është industria shtetërore e drogës me në krye Edi Ramën. Ata nuk e asgjesojnë drogën, por e tregtojnë atë, sepse Edi Rama është pronari i saj. Kjo është arsyeja që u ngrit populli më 18 shkurt”, – deklaroi Basha.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb