DURRËS- Kreu i PD-së Lulzim Basha ka paralajmëruar sot nga Durrësi për ndryshime në Kushtetutë nga shtatori që kanë të bëjnë me shkarkimin e deputetëve. Ai tha se këto ndryshime janë sipas sistemit amerikan dhe se qytetarët kanë të drejtë t’i shkarkojnë deputetët nëse nuk janë të kënaqur nga ta.

“Ka ardhur koha t’u tregojmë vendin zuzarëve, të korruptuarve dhe kriminelëve. Koha ka ardhur që një grup politikanësh të lëshojnë vendin. Republika e vjetër ka rënë. Pakti i 18 majit është kapitullimi i republikës së vjetër, është nënshkrimi i kapitullimit. Kurrë më një grusht politikanësh nuk do diktojnë vendimet për ju. Ju jap fjalën se duke filluar me ndryshimet kushtetuese, duke filluar nga shtatori ju jo vetëm që do zgjidhni drejtpërdrejt përfaqësuesit tuaj në parlament dhe në zyrat e shtetit por do keni të drejtën të shkarkoni deputetët pa përfunduar mandati sipas sistemit amerikan nëqoftëse nuk punojnë për ju”, tha Basha.

Kreu i PD-së u shpreh se “diçka e madhe po ndodh në Shqipëri”.
“Ja ku jam unë që pata mundësinë të shkollohem në Europë. Mund të kisha qenë atje duke shijuar jetën time por jam këtu që mundësitë që mua mu ofruan t’i ketë çdo i ri dhe e re e Shqipërisë. Kjo është beteja ime. Ta shoh standardin që preka e që më bëri ky që jam jo vetëm në vendet e Evropës por anembanë Shqipërisë. Ky është motivi im qeë më mbajti 90 ditë në çadër”, tha Basha duke akuzuar më tej Ilir Metën dhe Edi Ramën se duan pushtet.

“Programi i vetëm i Ilir Metës dhe Edi Ramës është timoni. Ka një javë që flasin për timonin, një timon, dy timonë. Sepse kanë hallin e pushtetit jo të qytetarëve. Kurse halli im jeni ju”, tha Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: