TIRANË- Kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur nga çadra deklaratave të kryeministrit Rama se nesër opozita është gati të destabilizojë e t’i vërë flakën Shqipërisë. Sipas Bashës, një gjë e tillë s’ka për të ndodhur, pasi siç tha, dhuna nuk është karakteristikë e demokratëve.

“Ju i digjnit gomat, thyenit shishe, ushtronit dhunë. Dhunë në protestën tonë nuk ka e nuk ka për të pasur. Dhuna është tipar i frikacakëve, këtu jemi të gjithë njerëz të kurajës”,- tha ai.

Kreu i PD-së paralajmëroi edhe forcat e policisë, duke iu kujtuar ligjin, në rast se guxojnë të prekin protestuesit.
“Do vëzhgoheni e regjistroheni nga toka e ajri, do përballeni me forcën e plotë të ligjit, nëse guxoni të prekni qytetarët. Tani ligji kërkon që policia të njoftohet, dhe jo të japë leje. E paprecedentë, keqpërdorimi politik që i bën policisë Edi Rama. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira me një polici të bërë zap nga pushteti, krimi e droga”,- tha ai.

Basha tha ndër të tjera që protesta e nesërme do jetë paqësore, prandaj ftoi qytetarët t’i bashkohen pa frikë.

“Nesër bashkohemi midis orës 11 dhe 12 të gjithë bashkë, të rinj e të reja, artistë, sportistë, gazetarë do të jenë aty me ne. Demokratë e socialistë do të jenë atje me ne për kauzën kombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme, ejani pa frikë, paqësisht por me vendosmëri. Hajdeni për të drejtat tuaja, për mirëqenien dhe një ekonomi më të fortë nesër. ”,- tha ai.

(m.a/e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb