TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga ‘çadra e lirisë’, ku të pranishëm janë qytetarë nga Fieri, akuzoi kryeministrin Edi Rama duke i kujtuar shprehjen ‘malok’ që sipas tij përçan shqiptarët.

Me ironi, Basha theksoi se pavarësisht kësaj, Rama ka qenë dorë rëndë si për ‘xhepat e malokëve të Veriut dhe atyre të Jugut’.

“Numri i bizneseve që janë mbyllur në qarkun e fierit është i dyti më i larti në Shqipëri. Numri i të rinjve të larguar, është i dyti në Shqipëri, pas qarkut të Kukësit. Fieri ka përjetuar deri në kockë Rilindjen dhe nuk ka parë akoma asnjë premtim elektoral. Rama këto 4 vite ka bërë një apartei të vërtetë dhe një klikë, një grusht pushtetarësh se Fierakët dhe lushnjarët janë në majë apo dhe në fund më mirë, të këtij grupi të madh shqiptarësh që grupi Ramës e ka ndarë në dysh. Në vend që të bëjnë punë, shajnë kundërshtarët e Ramës. Janë sharës me pagesë. Një nga shprehjet e tyre përçarës është shprehja ‘malok’. E vërteta është se Edi Rama ka qenë njësoj dorë rëndë për xhepat e malokëve të Veriut dhe malokëve të Jugut. Njësoj hajdut karshi socialisteve dhe demokratëve.”, tha Basha.

Nga ana tjetër lideri i PD-së iu drejtua ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeministrit Rama se ku i kanë procesverbalet e 10 mijë ton drogë, që sipas tyre i kanë asgjësuar. Basha tha se kjo sasi nuk është asgjësuar, por është magazinuar nëpër tunele dhe magazina shtetërore.

“Oreksi vjen duke ngrenë. Vjedhin para të buxhetit, po ai buxhet 4 mln dollarë është në vit. Por tani kanë gjetur metodat si të vjedhin. Duan t’i vënë kancerin këtij vendi, për mbetjet. Ndaj është thirrur dhe krimi, llumi, ata që shesin nënat dhe motrat tona rrugëve të Evropës, më të ndyrë që vendi ka. Që Rama i ka bërë drejtorë, deputetë dhe u ka dhënë çelësat e territorit dhe çelësat e kufijve. Fasada ndërkohë vazhdon punën. Xhafaj një njeri i stërvitur mirë, me taktikat e sigurimit, njësoj sikur akuzonte të rinjtë se kishin pirë një gotë raki, i shkruan letër prokurorit, dhe i thotë: ‘Më thuaj se kur janë rastet që s’jeni thirrur për të asgjësuar drogës’. E çon vëmendjen e popullit tek ky problem. Ku i ke procesverbalet e shkatërrimit të 10 mijë ton drogë? Na i trego, tregoja shqiptarëve, tregoja të huajve. Nuk i tregon dot se droga nuk u shkatërrua, por u magazinua nga policia, në tunelet e magazinave të shtetit dhe po del sot një pjesë e saj që po kapët në brigjet italiane. Rama s’ka si ta dorëzojë drogën, pasi është pjesë e pandashme e drogës dhe parave të saj. Ka 48 orë që u kemi thënë se në grykëderdhjen e Ishmit ka ngecur në llucë skafi i Habilajve, dhe këta s’kanë faj. Ku e ke policinë? Pse nuk e çon të kapësh skafin e Habijave? Sepse ata janë Edi Rama, Tahiri, Xhafaj. Nuk do ketë subvencione për fermerët, se paratë do shkojnë për korrupsion”, pohoi lideri i opozitës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: