TIRANE – Në fjalën e fundit të fushatës një ditë para heshtjes zgjedhore, Lulzim Basha në Tiranë rikujtoi dhe njëherë shqiptarët për premtimet e pambajtura të Ramës dhe kriminalizimin e vendit nën drejtimin e tij.

Basha u shpreh se Rama prej 4 javësh flet sikur ka qenë pjesë e opozitës, duke harruar se ka qenë ai kryeministri, shkaktar i rrënimit të vendit.

“Sa herë demokratët bëjnë një hap përpara, edhe Shqipëria bën hap përpara. Kështu ka qenë edhe kur PD i priu vendosjes së demokracisë, kur anëtarësoi Shqipërinë në NATO, kur hoqëm vizat, dhe kështu do jetë të dielën kur të themelojnë Republikën e Re. Të dielën do t’i japim fund regjimit më të korruptuar, që e shndërroi Shqipërinë në hambar droge. Ekonomia do jetë ndryshimi i dytë i madh që do bëjnë demokratët.

Vuri kriminelët në institucione, e mbushi Shqipërinë me drogë. Ky është kryeministri i 4 viteve që shkuan, kryeministri që ju do ta largoni me votë ditën e dielë. Le ta dëgjojë Europa dhe Amerika se çfarë keni vendosur për Ramën më 25 qershor. Rama erdhi në shtet duke premtuar shumë, por asgjë s’bëri. Shqipëria u mbulua nga droga, shëndetësia në kolaps, arsimi në kaos, pensionistët në mjerim. Të dielën është dita e gjykimit popullor me votë. Ju s’do keni më kryeministër që lufton për tekat e tij, që krekoset në kurriz tuaj.

E dëgjoni Ramën, flet 4 javë sikur të ishte opozitar, dhe jo kryeministër. Ngaqë dëgjonte çadrën prej 3 muajsh, filloi duke folur dhe ai sikur ishte pjesë e çadrës, por ai nuk është Republika e Re. Me bekimin e Merkel dhe mbështetjen e Trump, me planin e vetëm ekonomik do t’i japim Shqipërisë të nesërmen e sigurt. Të dielën nuk votohet për Ismail Qemalin, Skënderbeun, por për ekonominë, të ardhmen e fëmijëve,” u shpreh Basha.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb