Lulzim Basha bashkëbisedoi dje me demokratët e Elbasanit, Librazhdit, Gramshit, Belshit, Prrenjasit duke ndarë me ta nevojën për të vazhduar betejen politike për kauzat e drejta të shqiptarëve. Basha tha se Partia Demokratike është rruga e vetme për shqiptarët dhe se ai është gati për vazhduar këtë mision deri në thyerjen e këtij sistemi të korrupt​uar.

Basha Elbasan (1)

“Vlerat morale i kemi ne. Shqiptarët duan një rrugë tjetër përveç dëshpërtimit që i çon në vetëvrasje, i çon në nënshtrim apo në emigracion. Rruga tjetër jemi vetëm ne. Nuk ka forcë tjetër politike. Ju them që jam gati për të vazhduar betejen politike me ju ditë për ditë, orë për orë, derisa ta thyejmë këtë sistem dhe me zgjedhje të lira dhe të ndershme të sjellim vlerat në pushtet, të sjellim një qeveri të qytetarëve me planin tonë, vizionin tonë, të hedhim hapin tonë tjetër përpara sepse ne i kemi hedhur hapat përpara gjithmonë. Ky është çelësi i fitores si ato që kemi korrur së bashku në vitin 2009. Sepse koncepti i Repubikës së Re brenda shtëpisë tonë do të thotë fuqizim i anëtarit, do të thotë kalimi i vendimarrjes tek anëtari i Partisë Demokratike. Do të thotë anëtari i Partisë Demokratike si strumbullarin e vendimarrjes, si peshoren e vlerave dhe kontributeve të gjithsecilit. Çelësi është shpirti i pastër i demokratit. I atij që nuk pyet se kur me vjen radha për t’u bërë deputet por vjen në betejë sa herë ka betejë për vlerat për të cilat kemi lindur dhe luftojmë”, tha Basha.

Basha Elbasan (5)

Ai tha se zgjedhjet e 25 Qershorit nuk ishin të ndershme dhe u provuan kauzat e opozitës nga shitblerja masive e votës. Basha tha se kjo është një mazhorancë fiktive.

Basha Elbasan (3)

“25 qershori provoi se kauzat tona të dekriminalizimit, të luftës kundër drogës dhe të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë kauzat më jetike për Shqipërinë sot. Nuk kishte zgjedhje të lira dhe të ndershme me 25 Qershor. Nuk foli vullneti i qytetarëve. Ai u tjetërsua përmes shtrembërimit e blerjes masive të votës nga një qeveri e bërë njish me krimin dhe krimi i bërë njish me qeverisjen, me të cilët Shqipëria nuk ka e nuk do të ketë asnjë të ardhme. Plani ynë për një qeveri të qytetarëve parashikon që shqiptarët të kenë mundësi të jetojnë në shtëpitë e tyre pa qënë nevoja të shkojnë emigrantë. Të kenë mundësi për punësim. Të mos kenë frikë nga të fortët, nga të pushtetshmit dhe të zgjedhin lirisht qeverisjen që meritojnë në nivel qendror dhe lokal. Kjo mazhorancë është një mazhorancë fiktive. Prodhim jo i shpresës, as i vizionit për të nesërmen por i dëshpërimit, i frikës që mbollën dhe thelluan. Njësoj si në 1991 nuk ka se çfarë ti ofrojë shqiptarëve. Ekonominë e kanë në kolaps. Arkën e shtetin e kanë në kolaps. Qeverinë e ka ilegjitime pa votën e shqiptarëve. E dimë ne, e dinë shqiptarët. E di edhe ai dhe e dinë edhe socialistët”, tha Basha.

Basha Elbasan (2)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: