Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha takoi sot drejtorin e Europol Rob Wainright, të cilit i ka kërkuar hetim të pasurive të zyrtarëve të lartë si dhe ndihmë për zbatimin e dekriminalizimit.

Lidhur me dekriminalizimin, Basha diskutoi me kreun e Europol mundësinë e vendosjes së protokollit për bashkëpunim të shpejtë në lidhje me verifikimin e shenjave të gishtërinjve me qëllim zbatimin efikas të ligjit, si dhe në luftën ndaj krimit të organizuar e trafikantëve të drogës.

Basha falënderoi Wainright për bashkëpunimin e shkëlqyer që çoi në liberalizimin e vizave me Europën në fund të vitit 2010, çka mundësoi lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Në njoftimin e shpërndarë nga Partia Demokratike thuhet se Basha dhe Wainright ndanë shqetësimin e thellë për prodhimin dhe trafikimin tronditës të marijuanës në Shqipëri, kthimin e vendit në portë për tranzitimin e heroinës si dhe një vend kryesor për pastrimin e parave, fenomene që janë theksuar në raportin e fundit të Europol.

Basha e njohu drejtuesin e lartë të Europol me planin e PD për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme për të ndaluar prodhimin e trafikimin e drogës.

Basha, europol (2)

Wainright ofroi mbështetjen e tij për këtë projekt si dhe për hetimin dhe gjurmimin e aseteve të krimit të organizuar dhe pasurive të fshehura të zyrtarëve të lartë, të përfituara nga trafiqet dhe korrupsioni. Wainright ishte i pranishëm në punimet e samitit të PPE sot, ku Europol mori çmim për merita në luftën ndaj krimit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: