TIRANË- Kreu i opozitës Lulzim Basha i ka bërë thirrje ambasadës amerikane në Tiranë t’i heqë vizën kryeministrit Edi Rama duke dhënë edhe arsyet se pse. Basha foli për heqje selektive të vizave nga ambasada amerikane, ndërsa nuk la pa përmendur as George Soros, që sipas tij ka mbështetur Ramën këto 2 vite.

“Po oferta për vettingun, pse s’ka marrë përgjigje? Para 48 orësh propozoi ta shtynim pas zgjedhjeve. Përgjigja jonë është asnjë shtyrje për vettingun. Menjëherë pas qeverisë që do organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pra menjëherë pas paktit kombëtar për qeveri zgjedhore, ne jemi gati të votojmë vettingun dhe 5 ligjet e tjera në përputhje me marrëveshjen konsensuale, politike të 22 korrikut dhe ti japim rrugë gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur të bëjnë punën e tyre në bazë të ligjit dhe jo në bazë të Maliqit dhe orekseve apo paranojave apo anktheve të justifikuara të Maliqit.

E kam fjalën për këtë Maliqin këtu, për asnjë Maliq tjetër. Por ai nuk e do sepse kjo e nxjerr në pah dinakërinë, tinzarinë tij dhe mercenareve të Xhorxh Soros, që e kanë mbështetur këto 2 vite jo për të reformuar drejtësinë shqiptare por për ta kapur drejtësinë shqiptare dhe për t’ia dhënë peshqesh kryeministrit.

Njeriut që është kapur me presh në duar duke paguar 80 mijë dollarë në thyerje të ligjit amerikan për një foto me presidentin Obama në vitin 2012. I shkreti Bilal, e hëngri prej tij por ligji amerikan parashikon që edhe përfituesit e një vepre penale kanë përgjegjësi penale. Nuk është vendi im t’i tregojë drejtësisë amerikane se çfarë duhet të bëjë se me siguri dita do të vijë që ta bëjë por është koha dhe vendi t’i përsëris ambasadorit amerikan në Tiranë kërkesën popullore që t’i heqë vizën amerikane Edi Ramës, i cili është faktuar si shkelës i ligjit amerikan përmes donacionit ilegal në fushatën e Presidentit Obama”, tha Basha.

Sipas tij, “Nuk ka e nuk mund të ketë dy standarde, dikujt i hiqet viza e dikush e mban vizën edhe kur kapet me presh në duar, ndaj përsëris kërkesën time publike: Hiqi vizën amerikane Edi Ramës!”

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: