Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Bashkia e Tiranës 200 mln lekë për fondin e komuniteteve, nga java që vjen hapen aplikimet për banorët

thumbnail_Veliaj per fondin e komuniteteve (1)

NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE– 200 milionë lekë ka vendosur Bashkia e Tiranës për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve në pallate apo lagje për të përmirësuar një shërbim apo problem që i shqetëson. Duhet të jenë vetë banorët të cilët pasi kanë rënë dakord dhe kanë mbledhur një shumë parash për investimin, aplikojnë në Bashki për të përfituar dyfishimin e këtij fondi dhe asistencë me arkitektë për realizmin e investimit.

Nisma e cila bëhet aktive që nga java që vjen synon për një bashkëpunim më të madh mes bashkëpronarëve të një pallati për ambientet e përbashkëta.

“Për infrastrukturën komunitare, bashkia do të vërë në dispozicion këtë vit 200 milionë lekë, të cilat do të përdoren si një fond fillimisht për ta pilotuar te pallatet me administratorë. Administratori propozon në emër të banorëve një ndërhyrje që mund të jetë veshje kapot e pallatit, lyerje, eficencë energjetike, panele diellore, një hapësirë lulishte përpara pallatit apo një rampë, nëse ka persona me aftësi të kufizuar, që kanë nevojë të aksesojnë pallatin”, tha Veliaj.
thumbnail_Veliaj per fondin e komuniteteve (2)

Por kjo nismë vlen për pallatet në të cilat administratori është i certifikuar nga Bashkia e Tiranës. Administratori duhet të tërheqë një formular aplikimi në njësinë bashkiake dhe për ta dorëzuar më pas në bashkinë e madhe, ku nga afati i dorëzimit deri tek përgjigja duhet 1 muaj kohë.

“Sigurisht, kjo e ka një çelës: Duhet të kesh administrator në pallat sepse kjo është një mënyrë sesi inkurajojmë që sa më shumë banorë të bëhen bashkë-vendimtarë të fatit të lagjes së tyre. Në 1147 pallate në këto 6 muaj, që kur kemi filluar me këtë nismës, tashmë është krijuar kryesia e asamblesë së banorëve. Në shumicën prej këtyre ka filluar procesi i rekrutimit të administratorit dhe për të gjithë ata që tashmë e kanë zgjedhur administratorin në librin e certifikuar të bashkisë si administrator pallati, mund të vijnë në bashki të prezantojnë një projekt, të cilin gjysmën do ta financojë pallati dhe gjysmën tjetër bashkia”, tha ai.

Por më parë shumica e vetë banorëve duhet të ketë nënshkruar një deklaratë dakordësie për investimin.

Ndërkohë vetë Veliaj nëpërmjet këtij projekti kërkoi më shumë angazhim nga qytetarët për ta mbajtur pastër ambientin dhe respektuar hapësirat publike, gjë e cila i kujtoi edhe tregtarët ambulantë.

Bashkia synon me këtë projekt të përmirësohet edhe hapësirat e përbashkëta publike pranë banorëve duke i shtrirë investimet në mënyrë kapilare edhe në hapësira më të ngushta në qytet.

(el.sp/BalkanWeb)



KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.