TIRANE- Nga dita e sotme, çdo qytetar do ta ketë më të thjeshtë të gjejë informacion në kohë reale mbi trafikun, transportin urban, turizmin e shumë të tjera, falë aplikacionit më të ri “Tirana Ime”, i cili u paraqit sot nga Bashkia e Tiranës dhe Vodafone Albania. Në një aktivitet të organizuar në ambientet e Muzeut Historik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se krahas informacionit që do të marrin qytetarët, ky aplikacion do të shërbejë edhe për raportime mbi problematika të ndryshme të qytetit.

“Koha që njerëzit marrin për të raportuar qoftë edhe për një problem të vogël, një pemë të shkulur, një pusetë që mungon, një llampë të djegur, një pikë të pambledhur mbeturinash, mund të shkurtohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga një ndërveprim real që secili prej tyre mund të bëjë me Bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj. Për këtë aplikacion është punuar 6 muaj, në mënyrë që qytetarët të kishin një instrument i cili raporton, informon, ndërvepron me Bashkinë e Tiranës në kohë reale.

“Me këtë aplikacion secili prej qytetarëve të Tiranës bëhet automatikisht një inspektor i bashkisë, i cili kontrollon nëse puna është bërë, nëse janë larë rrugët, nëse janë zbrazur koshat, nëse funksionon ndriçimi në qytet, nëse është zëvendësuar një pemë e dëmtuar apo një pusetë që mungon. Sot, çdo qytetar i Tiranës ka potencialin për të qenë një kryetar virtual i bashkisë dhe kontrolluar çështje të ndryshme”, u shpreh Veliaj.

Aplikacioni “Tirana Ime” vjen për të gjithë qytetarët e Tiranës si një udhëzues dixhital për kryeqytetin, me qëllimin e vetëm për lehtësuar dhe përmirësuar jetën e qytetareve. I dizenjuar në një platformë unike dhe lehtësisht të aksesueshme, “Tirana Ime” përfshin 6 kategori të ndryshme (Trafiku, Transporti, Ndotja, Informacion, Raportime, Turizmi), të cilat do i vijnë në ndihmë përdoruesve të telefonave smartphone për të marrë çdo informacion të nevojshëm në kohë reale, kurdo dhe kudo që të ndodhen.

“Bashkia ka pasur monopol informacionin mbi trafikun, por sot duam që çdo qytetar të shohë realisht se si funksionon trafiku në Tiranë. Secili qytetar ka mundësinë të shohë se sa i ngarkuar është trafiku në orë të ndryshme të ditës dhe të fillojë e të bëjë zgjidhje më inteligjente mbi mënyrën se si do të udhëtojë në Tiranë dhe të kalojë kohën e tij të kufizuar”, tha Veliaj. Sipas tij, për herë të parë, ky informacion mund të përdoret edhe për shoferët.

Në aplikacionin “Tirana ime” ndodhet dhe një bazë të dhënash të të gjitha ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj tha se kjo është një mënyrë se si qytetarët të dinë ekzaktësisht se çfarë shërbimesh ofron qyteti. “Ftoj të gjithë qytetarët të bëhen ‘kryetari apo

kryetarja’ e bashkisë, duke shkarkuar që sot aplikacionin, i cili na mundëson të kemi një komunikim në kohë reale dhe një bashki jashtëzakonisht efiçiente, për të parë nëse punëtorët e bashkisë u përgjigjen atyre problemeve që raportojnë qytetarët”, deklaroi Veliaj.

Në një kohë kur kryeqyteti po ndryshon me ritme të shpejta dhe dinamike, çdo qytetar mund të japë kontributin e tij për t’u bërë pjesë e zhvillimit dhe përmirësimit të Tiranës. Nëpërmjet aplikacionit “Tirana Ime”, çdo qytetar mund të raportojë në kohë reale problematikat ose shqetësimet, papastërtitë, ose shkeljet që has dhe stafi i bashkisë së Tiranës, i cili ka ngritur dhe dedikuar një strukturë këtij shërbimi, do të shqyrtojë çështjen pas marrjes së raportimit.

Aplikacioni “Tirana Ime” është i dipsonueshëm dhe mund të shkarkohet falas nga Play Store për telefonat android dhe së shpejti në App Store për telefonat iOS.

Fjala e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:

Duket shumë e lehtë kur e shikon të mbaruar, vetëm ata e dinë se sa herë është kthyer, rikthyer, testuar e ritestuar, ndaj dua të falenderoj me zemër të gjithë kolegët e Vodafone që ndoshta kanë sjellë produktin e parë pas konferencës sonë “Tirana Smart City”. Sigurisht, një qytet inteligjent nuk bëhet vetëm kur të gjithë kanë nga një telefon inteligjent. Besoj se në Tiranë, ndoshta edhe prej dëshirës që kemi për të përqafuar gjërat të parët, shumica e kanë marrë, ata që kanë pasur mundësi, një telefon inteligjent. Qytetin inteligjent e bën në fakt mënyra se si qyteti funksionon në marrëdhënien me njerëzit, ku teknologjia nuk është qëllim në vetvete, është mjeti me të cilin ne arrijmë disa qëllime.

Sigurisht, ne nuk kemi pritur këto 6 muaj, derisa të kishim këtë instrument dhe derisa të kishim një aplikacion i cili raporton, informon, ndërvepron me Bashkinë e Tiranës në kohë reale. Ne kemi përdorur ndërkohë disa nga mjetet tradicionale të komunikimit. Ne kemi një zyrë pritje në Bashkinë e Tiranës, kemi 24 të tilla në të gjitha njësitë administrative, megjithatë me 1 milionë banorë që ka Tirana është bërë thuajse e pamundur që ne të përgjigjemi në kohë reale. Vetëm fakti që njerëzit për një problem të vogël, një pemë e shkulur, një pusetë që mungon, një dritë e djegur, një pikë mbeturinash e pambledhur, koha që qytetarët marrin për të raportuar situata të tilla mund të shkurtohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga një ndërveprim real që secili prej tyre mund të bëjë me Bashkinë e Tiranës.

Ne patëm një test dhe një histori suksesi me këtë filozofi dhe ishte koha e fushatës. Ne patëm ndoshta një ndër fushatat më të shkurtra, 45-50 ditë dhe ishte e pamundur që në 50 ditë, ne të kishim informacion real vetëm nga grupi ynë i punës së Bashkisë, që do prekte një Tiranë që shkoi nga 40 km katrorë, në 1200 km katrorë. Ajo që bëmë ishte që filluam me një projekt më primitiv që ishte “Unë për Tiranën”, një platformë e bazuar në një faqe interneti, qytetarët futeshin në faqen e internetit, raportonin gjithçka që nuk shkonte në Laprakë, Kinostudio, Oxhaku, Farkë, Shëngjergj e kudo tjetër në lagjen e tyre. Çka i mundësoi fushatës që teksa ne bënim programin, të kishim mundësi që të shkarkonim të gjithë problematikën e raportuar nga qytetarët dhe ta ndërtonim platformën si zgjidhje e kësaj problematike. Ai test deri diku primitiv, krahasuar me aplikacionin modern që kemi sot ishte në thelb një histori suksesi, pasi na mundësoi që brenda një jave të kishim 4000 raportime dhe të kishim një pasqyrë shumë të qartë se çfarë nuk shkonte me Tiranën që trashëguam para 6 muajsh.

Sot ne shkojmë në një fazë komplet tjetër. Në një qytet me 1 milionë banorë gjithmonë është pyetja: A quhet më qytet një metropol kur kap 1 milionë banorë, a e ka ende atë “intimitetin” e lagjes. Ndoshta disa prej nesh, nga unë e sipër, mbajmë ende mend lagjet e vjetra, ku prej varfërisë, kushteve por edhe prej një filli komunitar që na lidhte më shumë me njëri-tjetrin nuk e kishim të panjohur trokitjen e komshiut për farë kosi, pjatat kur kishte dasëm, karriget. Por sot në një qytet që në fakt shumë njerëz janë të rinj në qytet dhe janë të mirëseardhur në Tiranë, ky fill i komunitetit deri diku është shpërbërë, disa prej nesh nuk i njohin fare komshinjtë që kanë përballë apo kë të marrin në rast nevoje. Edhe kjo do të ndryshojë, jo vetëm me aplikacionin.

Duke filluar nga ky muaj, ne do të nisim licencimin dhe certifikimin e administratorëve të pallateve në qytetin e Tiranës, që jo vetëm të marrin çdo raportim por deri në nivelin e apartamentit, shkallës dhe pallatit ne të kemi një pikë kontakti të licencuar nga Bashkia e Tiranës, si një administrator i përgjegjshëm që jo vetëm paguhet për të bërë atë punë por edhe jep llogari. Nëse administratori i pallatit nuk zgjidh dot çështje banale, si një njeri i papërgjegjshëm që lë plehra në ashensor, dikush që nuk do të paguajë kontributin për ashensorin se thotë, unë jetoj në kat të dytë dhe iki me këmbë e shmangem nga detyrimet e mia, si disku tjetër që ndot apo zapton dhe nxjerr lokalin e vet aty ku luajnë fëmijët e gjithë pallatit. Unë e di që Bashkia sado e sofistikuar të bëhet dhe sado mundësi financiare të ketë, që sot nuk i ka në fakt, nuk mundet që të mikromenaxhojë çdo situatë, ndaj edhe kjo është një zgjidhje që ne të përdorim teknologjinë për të marrë feedback nga komuniteti. Por sigurisht që të kemi edhe struktura, duke nisur nga bashkia qendrore, të 24 njësitë, tek ndërlidhësit e komunitetit që menaxhojnë blloqe më të mëdhenj bashkë me administratorin dhe deri tek administratori i pallatit, për të pasur një shtrirje kapilare të raportimit, por edhe zgjidhjes së problemeve në kohë reale.

Më kujtohet një histori shumë e famshme e Bill Gates, president i Microsoft që njihet një ndër njerëzit më të pasur në botë, por edhe ndër njerëzit që ka sjellë më shumë prurje teknologjike. Në autobiografinë e tij rrëfen se si ishte i obsesuar që stafi dhe ekipi të funksiononte mirë dhe pyeste gjithnjë veten: A rri njeri si unë deri natën, duke menduar për produktin e ri të Microsoft; A ka njerëz që obsesohen si unë që ky produkt të jetë me cilësi, që qytetarët, klientët, konsumatorët ta përqafojnë? Për një njeri që ishte kaq hi-tech, kishte zgjedhur një metodë të teknologjisë shumë të ulët për t’u siguruar që stafi i vet ishte i mobilizuar. Kishte memorizuar të gjitha targat e makinave të njerëzve të tij kryesorë dhe ndonjëherë kur obsesohej, dilte në dritare dhe shikonte a ishin ato makinat e parkuara në garazh, ishin në ndërtesë njerëzit që duhej të kryenin këto punë? Më pas edhe ai kuptoi që një kompani, ndërmarrje e madhe s’mund të mikromenaxhohej duke parë oraret e hyrjes në punë apo targave që janë parkuar te parkimi i Microsoft apo i Bashkisë së Tiranës. Unë besoj, ashtu si edhe Bill Gates kuptoi shumë shpejt, që njerëzit duhen vlerësuar në fakt nga rezultati i punës, ndërmarrjet tona duhen vlerësuar nga rezultati i punës që kanë.

Sot nuk ka asnjë dyshim, edhe nga kritikët tanë më të mëdhenj që Tirana është më e pastër se para 6 muajsh, por sigurisht sot nuk ka dyshim se ambicia jonë është që Tirana të jetë shumë më e pastër se kjo që kemi sot. Sot nuk ka asnjë dyshim që Bashkia e Tiranës menaxhon më mirë krizat, qofshin situata të përmbytjes apo situata të njerëzve që kanë nevojë për emergjenca sociale apo natyrore, qoftë në mënyrën se si rehabilitojmë çdo ditë. Unë e di se jo detyrimisht do të zgjidhim problemet në një vit, ndoshta edhe për të gjithë mandatin tonë. Por parimi është që asnjë ditë të mos kalojë pa zgjidhur disa probleme që ne i kemi në dorë, me mundësitë modeste që kemi.

Një mënyrë origjinale, që më ndihmon mua si menaxher i Bashkisë së Tiranës, por kryesisht qytetarët, është mënyra se si raportohen problemet. Në aplikacionin që secili mund ta shkarkojë që sot dhe besoj për punë dy – tre javësh edhe në sistemin tjetër ka një mundësi për të bërë një raportim të një problematike të caktuar, ndaj po testojmë mënyrën si funksionon.

Kjo është një ndër mënyrat përmes së cilës ne mund të sigurohemi që për të gjitha problematikat që Tirana ka pa fund, me mijëra, ne të kemi mundësi që të jemi jashtëzakonisht efiçientë. Ne, momentalisht kemi një situatë ku kemi disa inspektorë, por me këtë aplikacion, praktikisht secili prej qytetarëve të Tiranës, bëhet automatikisht një inspektor i Bashkisë, për të kontrolluar që puna është bërë, rrugët janë larë, koshat janë zbrazur, ndriçimi funksionon, një pemë e dëmtuar është rregulluar apo zëvendësuar, një pusetë që mungon është blerë e re dhe zëvendësuar. Sot, kemi tek çdo qytetar i Tiranës potencialin për të qenë një kryetar virtual i Bashkisë dhe kontrolluar situata të ndryshme.

Ne kemi disa ditë që inkurajojmë një Tiranë e cila është më ekologjike, njerëzit të ecin më shumë dhe të kenë një jetë më të shëndetshme, megjithatë duam t’u japim qytetarëve një akses që deri dje ruhej për Bashkinë. Bashkia ka pasur monopol informacion mbi trafikun, sot duam që çdo qytetar të shohë realisht se si funksionon trafiku në Tiranë. Secili qytetar ka mundësinë të shohë se sa i ngarkuar është trafiku në orë të ndryshme të ditës dhe të fillojë e të bëjë zgjidhje më inteligjente mbi mënyrën se si do të që udhëtojë në Tiranë dhe të kalojë kohën e tij të kufizuar.

Për herë të parë, ne kemi informacion që mund të përdoret edhe për shoferët. Ka shumë njerëz që i anketojmë, kur flasim për Tiranën pa makina dhe themi pse shkon në sheshin “Skënderbej”. Thonë, shkoj në sheshin “Skënderbej” se vetëm kur shoh Skënderbeun vendos në cilin drejtim do shkoj, ndërkohë që nëse e ke këtë informacion, atë vendim mund të marrësh në një nga unazat e qytetit, pa e sjellë gjithë trafikun në qendër të Tiranës, për të vendosur që në fakt do të shkosh në Elbasan apo në ndonjë nga rrugët periferike, ku fare mirë mund të përdorësh Unazën.

Për herë të parë kemi edhe një informacion jashtëzakonisht të saktë për pikat turistike të Tiranës. Ajo që kemi preferuar, kjo është edhe arsyeja pse kemi negociuar disa herë me kolegët tanë është se do të donim që në një aplikacion për qytetin, të kishim të gjitha dimensionet e qytetit. Ndaj, ne i kemi bashkuar të gjithë shërbimet e qytetit të Tiranës në një aplikacion të vetëm dhe për të gjithë ata që e vizitojnë Tiranën nga qytete të tjera dhe duan të orientohen, mjafton të shkarkojnë “Tirana ime” dhe do kenë mjaftueshëm aktivitete për një javë të tërë në Tiranë.

Për çështjen e informacionin, ata që kërkojnë informacion më të sofistikuar. Jo çdo gjë bëhet me një raportim me foto. Në disa raste, nëse kemi një problem në ndonjë Njësi Administrative e cila kërkon investim, një urë e shembur në një fshat pas shirave, një stacion elektrik që duhet zhvendosur nuk janë çështje të raportimeve të vogla. Më vjen mirë që kemi një informacion për të gjitha njësitë administrative, ku secili qytetar i Tiranës metropol, i Tiranës së madhe me 1 milionë banorë ka pikën e tij të kontaktit për secilën prej këtyre njësive, më pranë fshatit apo lagjes së tij.

Kemi po ashtu një mundësi se si ne mundemi në mënyrë inteligjente të buxhetojmë disa nga këto problematika. Shumë prej gjërave të thjeshta mund të zgjidhen me një brigadë që shkon

dhe rregullon, por shumë gjëra si për shembull shkatërrimi i një ure kërkon buxhetim dhe investim. Në momentin që ne kemi nga gjithë qytetarët e njësive administrative edhe probleme të kësaj kategorie që kërkon investim, na ndihmon fare mirë në mes të vitit kur ne bëjmë një rishikim të buxhetit, për të parë se ku duhet të alokojmë fonde, në bazë të frekuencës së raportimeve për investime kapitale. Kjo na ndihmon po ashtu në fund të vitit për të parë se ku do të jenë investimet e vitit të ardhshëm, sërish në bazë të frekuencës së raportimeve nga qytetarët.

Në aplikacion kemi një bazë të dhënash të gjithë ndërmarrjeve tona. Është një mënyrë se si qytetarët të dinë ekzaktësisht se çfarë shërbimesh ofron qyteti i Tiranës. Ne jemi në një proces të decentralizimit, ku jo detyrimisht çdo gjë i ka kaluar në funksion Bashkisë së Tiranës. Fjala vjen, ne kemi sot funksione të dyfishta në Inspekoriatin e Mjedisit. Është shumë e vështirë t’u shpjegosh qytetarëve që Inspektoriati i Mjedisit është i qeverisë qendrore, jo i Bashkisë. Kjo do të thotë se shumë prej lejeve për ndotjen akustike apo punën 24 orë të lokaleve apo disa zgarave që shqetësojnë qytetarët, në fakt nuk janë fare kompetencë e Bashkisë dhe frekuenca e këtyre ankesave na ndihmon edhe teksa negociojmë me qeverinë qendrore, për të parë se cilat janë disa kompetenca që duhen t’i kalojnë menjëherë qeverive lokale, bashkive, pasi bashkitë mund të adresojnë fare mirë çështje që shqetësojnë komunitetin, se sa një Inspektoriat i vendosur në qeverinë qendrore.

Bashkia ka hapur dy menca sociale për ata që janë në nevojë, për t’u siguruar që pavarësisht vështirësive të buxhetit të Bashkisë, asnjë qytetar që nuk i ka mundësitë, të mos e kalojë ditën pa një vakt të ngrohtë. Për ata që janë të interesuar për çështje të aktiviteteve sportive, do të shihni edhe shoqëritë e Bashkisë që merren me menaxhimin e terreneve sportive, etj.

Dua ta mbyll, duke ftuar të gjithë qytetarët të bëhen “kryetari apo kryetarja”, duke shkuar që sot për ata që kanë android për të shkarkuar aplikacionin i cili na mundëson të kemi një komunikim në kohë reale dhe një bashki jashtëzakonisht efiçiente, për të parë nëse punëtorët e Bashkisë në fakt u përgjigjen atyre problemeve që raportojnë qytetarët.

Kemi pasur një bashkëpunim fantastik me qytetarët në rrjetet sociale. Në pamundësi për t’i bërë të gjitha gjërat, ndonjëherë shumë prej kolegëve, zyrtarëve të Bashkisë marrin edhe një dozë të histerisë publike për gjëra që ndoshta nuk janë bërë në vitet e fundit, duhet të mbash edhe përgjegjësi për gjëra që askush prej nesh nuk ka faj. Megjithatë besimi i publikut te Bashkia është rritur në 6 muajt e fundit në mënyrë eksponenciale. Në pamundësi për të bërë të gjithë gjërat, ne do bëjmë aq sa mundemi me mundësitë që kemi. Sigurisht, sa më shumë qytetarë të raportojnë, të na tregojnë ku qëndrojnë problemet me qytetin, aq më të lehtë e kemi edhe për të buxhetuar me mundësitë tona modeste financiare dhe për t’u siguruar që burimet tona njerëzore nuk “shkartisen” pa rendiment nëpër qytet, por fokusohen aty ku problemet janë më jetike dhe frekuenca e raportimit të një problemi është më madhe dhe për t’i dhënë zgjidhje.

E di që ky është vetëm një mjet, nuk është zgjidhja e problemeve të Bashkisë. Ne jemi në një situatë ku sapo kemi nisur me buxhetin e ri, do të doja që të gjithë qytetarët të na ndihmojnë edhe në pagimin e detyrimeve të Bashkisë, aq sa janë, të vogla e modeste, sepse kur secili jep kontributin e vet, atëherë edhe secili ka të drejtën të kërkojë llogari dhe të kërkojë një bashki që i përgjigjet standardit, kontributit të vet qytetar.

Askush, as Bashkia nuk ka monopolin e rregullimit të gjithçkaje. Ka njerëz që kërkojnë që Bashkia të bëjë gjëra që janë brenda në shtëpinë e tyre apo në shkallën e tyre të pallatit. Unë besoj se çdo gjë duhet të ketë një arsyetim dhe duhet të jemi pak racionalë. Ca gjëra që njerëzit mund t’i bëjnë vetë, një qese në ashensor që një fqinj i papërgjegjshëm e lë aty, nuk ka nevojë të vijë Bashkia e të mobilizohen njerëz nga Bashkia qendrore për të imponuar sjellje qytetare në lagjen e secilit. Për dikë që hedh plehra nga ballkoni, ndoshta ka më shumë efekt përgjigjja e komunitetit se sa “reprezalja” që vjen nga Bashkia, për probleme kaq banale por që i shqetësojnë njerëzit.

Do të doja të ftoja qytetarët që jo vetëm të na ndihmojnë, por edhe të përdorin sensin e arsyes dhe masës për gjëra që fare mirë komuniteti mund t’i zgjidhë vetë, edhe me pak vullnetarizëm. Dua të falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sa herë kemi pasur iniciativa të pastrimit vullnetar të qytetit. Sot, me zgjerimin që ka qyteti dhe kontratat që kemi trashëguar në pastrim, kemi vërtet që qytet më të pastër por ende shumë larg asaj që secili prej nesh mund të bëjë, nëse edhe vetë vullnetarizon.

Ne do të kemi edhe disa ditë të tjera pa makina në qytetin e Tiranës, duke nisur nga Dita e Verës e ditë të tjera në vijim. Do të jetë një mënyrë se si qytetarët mund të shohin vetë problematikën e trafikut dhe të kuptojnë se sa mirë lëvizet në një qytet që ka ajër të pastër dhe sa mirë mund të jetë një qytet që i kthen gjithnjë e më shumë hapësirat në pedonale.

Ky ishte drafti i parë, jam i sigurt se ne do e përmirësojmë këtë produkt gjatë gjithë kohës, me të gjithë imputin, vërejtjet që do të marrim nga njerëzit, ndoshta disa prej tyre, më të aftë se ne në çështje të teknologjisë së informacionit. Javën tjetër do të kemi edhe një lançim të faqes së re të internetit të Bashkisë, ku do të ketë më shumë informacion, e fokusuar tek shërbimet për qytetin, jo tek propaganda për Bashkinë dhe besoj se edhe në këtë rrugëtim do jemi bashkë.

Do të doja të falenderoja “Vodafone”’, është edhe një mënyrë se si përgjegjshmëria sociale nuk është vetëm në ofrimin e një shërbimi të mirë ndaj klientëve, por edhe në kontributin e një qyteti ku jeton 1/3 e Shqipërisë dhe me aplikacionin e sotëm jemi pa dyshim një ndër qytetet më inteligjente në Ballkan. Nuk e di nëse do të jemi më të mirëmenaxhuarit, ky është qëllimi dhe ambicia jonë, por me këtë instrument do ia arrijmë këtij qëllimi të gjithë bashkë.

E di që për ata që janë drejtues të ndërmarrjeve dhe Bashkisë, volumi i punës, deri dje kishin një kryetar bashkie që i shqetësonte orë e minutë për gjëra që vinte re apo merrte informacion, imagjinoni tani kur 1 milionë qytetarë, të gjithë drejtuesve të ndërmarrjeve të Bashkisë do u çojnë këtë informacion. Mos e merrni si problem, merreni si mundësi, është një sfidë fantastike, për t’i shërbyer qytetit më të bukur që kemi!
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: