Nga SHABAN MURATI
Djajtë antishqiptarë janë ringjallur në Ballkan dhe një ofensivë e paparë diplomatike dhe propagandistike ruso-serbe po fryn një histeri rajonale kundër Shqipërisë, kundër Kosovës dhe kundër kombit shqiptar. Rusia mendon se me këtë ofensivë do të dobësojë lidhjet perëndimore në rajon dhe do të forcojë ndikimin e saj të mënjanuar nga integrimi euroatlantik. Serbia mendon se me këtë ofensivë do të eliminojë faktorin shqiptar në Ballkan dhe do të fitojë rolin e shtetit drejtues të rajonit. Në të katërta anët e Ballkanit po dalin kryeministra dhe ministra të Jashtëm, (edhe nga shtete me të cilat Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie), të cilët befas kanë zbuluar se rreziku shqiptar qenka më i madh se rreziku rus në Ballkan.

Teza kryesore e përpunuar dhe e fokusuar e diplomacisë dhe e propagandës ruso-serbe është ajo që Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët po përpiqen të ndryshojnë kufijtë në rajon dhe me këtë strategji po rrezikojnë shpërthimin e një konflikti rajonal. Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka shndërruar komunikatat antishqiptare në një sport të përditshëm, në deklaratën e saj të datës 21 prill dilte me apelin ndërkombëtar që: “Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet t’i tregojë Tiranës dhe politikanëve shqiptarë në shtetet e tjera ballkanike se është e papranueshme të avancosh rivendikime territoriale dhe të diskutosh revizionimin e kufijve në rajon”.

Është një tezë e pabazë dhe një deformim i asaj, që shqiptarët si komb aspirojnë dhe kërkojnë brenda vetes së tyre lidhur me të ardhmen e tyre. Kombi shqiptar ka kërkuar dhe kërkon të drejtën e patjetërsueshme për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që nuk ka të bëjë dhe nuk është aspak e ashtuquajtura “Shqipëri e Madhe”, e cila në fakt është gjë krejt tjetër dhe nuk është as projekt shqiptar.

Bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës nuk është “bashkimi i gjithë shqiptarëve në një shtet”, një kontruksion propagandistik i Beogradit, i cili devizën e njohur millosheviçiane “gjithë serbët në një shtet”, po kërkon ta shesë në Bruksel si produkt shqiptar. Asnjë qeveri e Shqipërisë apo e Kosovës dhe asnjë parti politike shqiptare në Tiranë, në Prishtinë e në Tetovë nuk kanë dalë kurrë me këtë parullë tipike serbe, që përbën boshtin e programit dhe të platformës së nacionalizmit serbomadh.

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të pavarura, të cilat kanë të drejtat e plota, që rrjedhin nga ligjet dhe kartat ndërkombëtare për subjektet e pavarura të së drejtës ndërkombëtare, që të zgjedhin apo të krijojnë aleanca e bashkime dypalëshe me njëri-tjetrin. Bashkimi midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete shqiptare, nuk është aspak prishje e kufijve në rajon.

Së pari, bashkimi midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk është prishje dhe as revizionim i kufijve të rajonit. Një bashkim i Shqipërisë me Kosovën nuk prish asnjërin prej kufijve ekzistues të Shqipërisë dhe të Kosovës me shtetet e tyre fqinje. Nuk prishet kufiri as me Serbinë, as me Maqedoninë, as me Malin e Zi dhe as me Greqinë. Kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës është kufi i brendshëm midis dy shteteve shqiptare dhe nuk është kufi rajonal. Kjo do të thotë që në fund të fundit është një çështje e brendshme e dy shteteve shqiptare dhe e drejtë e tyre se si do ta konsiderojnë këtë kufi, i cili me marrëveshje midis tyre, nga kufi shtetëror mund të kthehet lehtë në kufi administrativ, pa pasur asnjë lidhje dhe asnjë pasojë në statusin e kufijve të shteteve të tjera ballkanike dhe as të rajonit.

Analizën e plotë mund ta lexoni në GSH.al duke klikuar në linkun:

http://www.gsh.al/2017/05/01/bashkimi-shqiperi-kosove-nuk-prish-kufijte-e-rajonit/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: