Paolo Tramexani po tregon një stil të ri në drejtimin e ekipeve të futbollit. Pasi çoi pak muaj më parë Armando Sadikun dhe shokët e tij në fabrikë që në orët e para të mëngjesit për t’u treguar përulësinë, ish-ndihmësi i De Biazit ka dhuruar dje një tjetër “bëmë” që do të bëjë shumë bujë.

Trajneri i Sionit, pas humbjes 3-0 të skuadrës së tij në Ligën e Europës përballë Suduva të Lituanisë, ka hyrë në dhomat e zhveshjes dhe në vend që të qetësojë skuadrën e ta motivojë për duelin e kthimit, u ka bërë të qartë lojtarëve se një pjesë duhet të mendonin për të gjetur një sistemim tjetër.

“Ekipi u thye që te goli i parë i pësuar (minuta e tretë). Mungoi edhe fryma e ekipit. Ata që nuk janë në gjendje të vuajnë, nuk mund të luajnë futboll. Këta njerëz nuk do të luajnë më për mua.

Dhe ata e dinë një gjë të tillë, ua thashë në dhomat e zhveshjeve. Nuk dua të them emrat e lojtarëve. Unë i kam zgjidhur gjithmonë vetë problemet e mia në jetë dhe pres që edhe futbollistët e mi të bëjnë të njëjtën gjë”, deklaroi Tramexani pas përfundimit të ndeshjes.

Te Sioni, së fundmi është transferuar edhe Ermir Lenjani, i cili nuk ishte i gatshëm për ndeshjet e këtij turi në Ligën e Europës. Ndërkohë, klubi zviceran është në negociata me Peskarën për transferimin e Ledian Memushajt. Nëse Tramexani vazhdon me këto ritme, të dy do të gjejnë shumë vende bosh në formacion… /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: